Komisioni i Kongresit heton 'Georgia Tech' nën dyshimet për bashkëpunim me një universitet kinez të lidhur me Pekinin

Komisioni i Kongresit heton 'Georgia Tech' nën dyshimet për bashkëpunim me një universitet kinez të lidhur me Pekinin

Një komision i Kongresit amerikan për Kinën i ka kërkuar universitetit “Georgia Institute of Technology”, i njohur në fushën kërkimore, që të ofrojë detaje të bashkëpunimit me një universitet kinez që përballet me kufizime të vëna nga qeveria amerikane për shkak të lidhjeve të supozuara me ushtrinë kineze. Universiteti amerikan njihet shkurtimisht si Georgia Tech.

Universiteti “Georgia Institute of Technology” bashkëpunoi me Universitetin Tianjin të Kinës në fushën e teknologjive të avancuara pavarësisht lidhjeve të dokumentuara me ushtrinë kineze, thuhet në një letër drejtuar presidentit të universitetit amerikan, Angel Cabrera, nga kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, ligjvënësi republikan John Moolenaar.

Por shkencëtari i universitetit amerikan që udhëhoqi projektin në fjalë i mbrojti kërkimet, duke thënë se të gjitha rezultatet ishin publike. Ai tha se projekti kishte kaluar përmes shqyrtimeve ligjore dhe se vetëm një pjesë e vogël e financimit ishte nga instituti kërkimor (GTRI) që sponsorizohet nga Pentagoni.

Letra e së enjtes vuri në dukje se në vitin 2020, Universiteti Tianjin dhe filiale të tjera ishin shtuar në listën e kufizimeve të eksportit të Departamentit të Tregtisë për veprime që bien ndesh me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përfshirë vjedhjen e sekreteve tregtare dhe bashkëpunimin kërkimor për të avancuar ushtrinë kineze.

“Ndërsa Georgia Tech e ka të ndaluar të eksportojë teknologji të ndjeshme në Universitetin Tianjin, për shkak të kufizimeve të vëna nga qeveria amerikane, ajo ka bashkëpunuar me Universitetin Tianjin dhe të paktën një entitet tjetër të lidhur me ushtrinë kineze për zhvillimin e teknologjive të ndjeshme”, tha zoti Moolenaar.

Qendra kërkimore e Universitetit Tianjin është e lidhur me një kompani, degët e së cilës furnizojnë ushtrinë kineze, thuhet në letër.

Universiteti Georgia Tech tha në një deklaratë për shtypin në muajin janar se hulumtuesit e saj në Atlanta dhe në Qendrën Ndërkombëtare Tianjin për Nanogrimcat dhe Nanosistemet kishin krijuar gjysmëpërçuesin e parë funksional në botë të përbërë nga nanomateriali, grafinë, çka mund të çojë në përparime të dukshme në fushën e elektronikës dhe veprime të shpejta kompjuterike.

Mes një rivaliteti të theksuar gjeopolitik dhe shkencor, Shtetet e Bashkuara dhe Kina e vlerësojnë si strategjike industrinë e gjysmëpërçuesve, me përdorime civile dhe ushtarake, përfshirë kompjuterat kuantikë dhe sistemet e avancuara të armëve.

Një zëdhënëse nga “Georgia Tech” tha se e mirëpret hetimin e Kongresit, por se GTRI “nuk ka bashkëpunim, partneritet kërkimor dhe nuk ofron ndonjë financim për Universitetin Tianjin".

Instituti GTRI, Qendra Ndërkombëtare Tianjin për Nanogrimcat dhe Nanosistemet, dhe ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë së lajmeve Reuters për koment.

Letra shënon një nga veprimet e para që ligjvënësi Moolenaar ka ndërmarrë që kur mori postin e komisionit dypartiak në muajin prill. Letra nuk është nënshkruar nga asnjë anëtar demokrat i komisionit.

Gjatë mandatit të Presidentit Biden, Departamenti i Drejtësisë i dha fund një programi të periudhës së Presidentit Trump, të quajtur Nisma për Kinën, që synonte të luftonte spiunazhin kinez dhe vjedhjen e pronës intelektuale. Kritikët thonë se nisma vuri në objektiv amerikanët aziatikë dhe zbuti përpjekjet për kërkime shkencore.

Megjithatë, agjencitë amerikane dhe Kongresi e kanë rritur kontrollin lidhur me ndikimin e Kinës dhe metodave të përdorura nga Pekini për të anashkaluar kontrollin e eksporteve dhe ligjeve të tjera të sigurisë kombëtare./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Skoci-Zvicër 1-1, helvetët shohin përpara në fazën 1/16 me supergolin e Xherdan Shaqirit

Euro 2024/ Skoci-Zvicër 1-1, helvetët shohin përpara në fazën 1/16 me supergolin e Xherdan Shaqirit