TIRANE- Komisioni i ligjeve ka miratuar projektligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” ku parashikohet edhe krijimi i burgjeve private të cilat mund të përdoren për të burgosurit që kanë marrë deri në 5 vjet dënim me burg.

“Në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale vendosen të dënuar për të cilët është masë dënimi në maksimum deri në 5 vjet burgim”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni i Ligjeve ka miratuar po ashtu projektligjin për faljen e gjobave në periudhën 1 mars deri në 31 gusht 2013. Mbledhja e Komisionit u shoqërua me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës ku këta të fundit e cilësuan këtë vendim të qeverisë si politik.

“Në institucionet private të ekzekutimit të vendimit penal nuk vendosen të dënuar që me vendim gjykate janë vendosur në burg të sigurisë së lartë ose është caktuar si masë dënimi mbi 5 vjet”,  tha kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa.
 
“Është thënë që gjatë fushatës elektorale të gjitha gjobat që do të vendosen gjatë fushatës elektorale do të falen. Që ne kemi pasur një administratë tatimore e cila ka vepruar në mënyrë të drejtë të ndershme, etj, etj, këtë të harrojmë”, tha deputeti i PS Pandeli Majko.

Ndërsa deputeti i PD Gent Strazimiri tha se “Që nga 1 marsi keni filluar të listoni personat të cilave duhet t’u falen këto gjoba të cilat ju i konsideroni abuzive. Sigurisht që gjobat abuzive do të konsiderohen logjikisht vetëm ato të marra nga përkrahësit e PS-së dhe jo të tjetër”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)