Komisioni i Ligjeve miraton në 
parim pr/ligjin për Gjykatën e Lartë

Komisioni i Ligjeve miraton në <br />parim pr/ligjin për Gjykatën e Lartë
TIRANE- Parlamenti po kërkon t’i japë fund ngërçit të krijuar mes tij dhe Presidentit për Gjykatën e Lartë. Me anë të një nisme të deputeteve, e cila u miratua në parim në Komisionin e Ligjeve gjatë kësaj të hëne, synohet ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe ku parashikohet ngritja e “Këshillit për emërimet në Gjykatën e Lartë”. Ky Këshill do të bëjë verifikimin dhe përmbushjes së kritereve të çdo aplikanti, si dhe do të hartojë raportin përfundimtar duke i renditur kandidatët sipas përmbushjes së kritereve. Pasi i lihet e drejta e marrjes së informacioneve shtesë, ndër to edhe ato konfidenciale për kandidatët, Presidenti i Republikës do të bëjë dekretimin e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë në bazë të raportit të këtij Këshilli, si dhe konsultimit për emrat me krerët e grupeve parlamentare.
 
Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve kjo nisme vjen për të bërë sa më transparent dhe objektiv procesin përzgjedhës.
 
“Ky nuk është një ligj që zgjidh të gjitha problemet e Gjykatës. Ne si Kuvend mund të ndërhyjmë vetëm në ligj për të zgjidhur ngërçin, kjo është mundësia jonë. Një proces është dobiprurës kur ai është transparent dhe ky projektligj këtë ka si qëllim, pra transparencën. Është nevoja për të qenë objektiv në procesin përzgjedhës. Drejtësia dhe gjyqësori do rregullohet kur ne të kemi një Gjykatë të Lartë të standardeve europiane, pasi ajo është hallka kyçe e sistemit”, tha Xhafa.
 
Megjithatë frika nëse Presidenti do ta dekretojë këtë projektligj apo jo ekziston tek deputetët.
 
“Disa dekrete të Presidentit janë rrezuar pasi nuk është zbatuar ligji në frymë e germë nga Presidenti. Këshilli që do ngrihet pranë Presidentit është risia e këtij projektligji. Pra mes më të mirëve presidenti të zgjedhë më të mirët”, tha deputeti Subashi.
 
“Këshilli për emërimet në Gjykatën e Lartë” parashikohet të ketë në përbërje kreun e Gjykatës Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm, kreun e Gjykatës së Lartë, ministrin e Drejtësisë, zv.kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Ndryshimet vijnë pasi për pesë herë radhazi mazhoranca në Kuvend rrëzoi dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, si të pakonsultuara me mazhorancën, për të cilën Presidenti ndan qëndrimin se nuk e ka detyrim kushtetues.

Nard Ndoka, i vetmi përfaqësues nga opozita në Komision, ka votuar kundër kësaj nisme. Ndërsa vetë Gjykata e Lartë dhe Ministria e Drejtësisë kanë qenë në parim “Pro”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar