Komision Ligjesh (foto arkiv)
TIRANË, 27 Janar/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot me votat e mazhorancës dy projektligjet e propozuara nga Ministria e Mbrojtjes, atë "Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", si dhe projektligjin "Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Gjatë seancës ka patur diskutime lidhur me projektligjin për Policinë Ushtarake, ku deputetët e mazhorancës, Bashkim Fino e Pirro Lutaj vlerësuan se Policia Ushtarake ka shtatë vite që punon pa një kuadër ligjor të mirëpërcaktuar.
"Ne këtu konstatojmë faktin që një strukturë ligjore, siç është policia e forcave ushtarake dhe policia kriminale e ushtrisë shqiptare, nga viti 2007 deri në momentet që ne po miratojmë ligjin aktual ka vepruar në kundërshtim, sepse ka vepruar pa ligj. Ky është element shumë shqetësues, pasi për vite të tëra një strukturë shumë e rëndësishme, jo rastësisht paska pasur një debat shumë të madh mbi veprimtarinë e herëpashershme të parregullt dhe të paligjshme të strukturave të ushtrisë", tha Lutaj.
Deputeti i opozitës, Fatmir Mediu u shpreh se po të ishte kështu, qeveria duhet ta kishte paraqitur këtë ligj që në ditët e para të punës së saj. "Para se t'i drejtojmë gishtin njëri-tjetrit, pse ministria nuk e bëri ligjin, por ka kaluar një vit e më shumë dhe tani u kujtuat", tha Mediu.
Në fund të seancës, ku merrte pjesë dhe Zv/Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, u votuan të dyja projektligjet, që ishin parashikuar në programin e punimeve për ditën e martë.
Projektligji për Policinë Ushtarake:
Krijimi i një shërbimi policor profesional në ushtri, i bazuar në meritë dhe integritet moral, është qëllimi i projektligjit "Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura", i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i paraqitur së fundi për shqyrtim në Kuvend.
Projekti synon të mbrojë dhe garantojë ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në radhët e ushtarakëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe forcimin e luftës ndaj kriminalitetit.
Drafti riformulon misionin e Policisë Ushtarake, që është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në ushtri, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare.
Pr/ligji, i organizuar në 44 nene, përcakton strukturën e Policisë Ushtarake sipas nënstrukturave të saj që janë Policia Gjyqësore, Policia Kriminale, Inspektorati i Qarkullimit Rrugor, Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe struktura e Rendit Ushtarak.
Si organ i specializuar në zbulimin, parandalimin e veprimtarisë kriminale apo kapjen e personave që kanë kryer ose përgatiten të kryejnë vepra penale në ushtri, organizohet dhe funksionon struktura e Policisë Kriminale Ushtarake. Me qëllim sigurimin dhe kontrollin e trafikut ushtarak, organizohet dhe funksionon Inspektorati i Qarkullimit Rrugor, ndërsa Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin (MNZSH) funksionon për të kontrolluar masat e marra nga drejtuesit e institucioneve ushtarake për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe të pronës ushtarake nga rreziku i zjarrit apo fatkeqësi të tjera.
Pr/ligji trajton përgjegjësitë dhe detyrat që ka Policia Ushtarake, ndërsa në kapitullin e V-të të tij trajtohen kriteret e pranimit, emërimit dhe karrierës së punonjësve ushtarakë dhe civilë. Kostot e përafërta financiare shtesë që mbart ky projektligj në total llogariten në 6.628.324 lekë./m.m/