Mbledhja është hapur me diskutime të deputëve të Partisë Demokratike dhe deputetëve të Partisë Socialistë në lidhje me pr/ligjin për Kodin Rrugor.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj kërkoi kohë pasi ky kod parashikohet të kalojë në parlament në fillim të muajit dhjetor dhe “kjo seancë të mos shërbejë vetëm për ngritjen e kartonave”
“Vendimi i Konferencës së Kryetarëve është i detyrueshëm për tu zbatuar dhe i hap rrugë procesit të shëndetshëm, dhe jo një procesi thjesht kartonash”- deklaroi Xhafaj.
Ai propozoi relatorë nga të dyja palët për të diskutuar pr/ligjin për Kodin Rrugor, si dhe të merren mendime edhe nga ministria e Transporteve. Pr/ligji u propozua në prill të 2009, dhe në shtator të këtij viti u rikthye për rishqyrtim.
Nga ana e tij kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali deklaroi se nuk do të ndryshojmë procedurat e shqyrtimit të ligjeve duke e quajtur kërkesën e PS-së për relatorë nga të dyja palë "të pamundur." “Për një cështje të caktuar duhet të jetë një relacion” tha Rusmali, duke shtuar se në relacion mund të merren në konsideratë si propozimet e PS, e PD-së ashtu dhe të grupeve të interest për kodin rrugor.
Në fund të diskutimeve u ra dakord që të jetë vetëm një relator, si dhe rishqyrtimi I pr/ligjit për kodin rrugor do të vazhdojë të hënën.
Një ditë më parë Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare, mes të tjerash arriti konsensus për axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, duke vendosur rishqyrtimin e tyre me kalendarë trejavore dhe në përputhje me rregulloren parlamentare. Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor. Ndërkohë, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synim që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.
(s.g/shqiptarja.com)