TIRANE-  Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot me 16 votat e mazhorancës raportin për shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i kryeinspektores së ILDKP-së.

Raporti u hartua nga grupi i kontrollit të ngritur nga Parlamenti në nëntorin e vitit të kaluar. Sipas këtij raporti emërimi i Zana Xhukes në këtë post është i pavlefshëm dhe propozonte shkarkimin e saj nga posti i kryeinspektores.

Raporti u miratua vetëm nga deputetët e mazhorancës ndërkohë që opozita braktisi mbledhjen me pretendimin se komision i i ngritur ishte antikushtetues
 
Kreu i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafa, ka deklaruar se 35 punonjës të ILDKP, të gjithë të emëruar në kohën e PD dhe ish funksionarë të saj, janë ankuar për Xhukën, ndaj kjo është një çështje që s'ka pse t'i jepet ngjyra politike.

Por ndryshe nga mazhoranca, deputetët e opozitës e kanë braktisur Komisionin e Ligjeve pasi e konsiderojnë ngritjen e këtij komisioni verifikimi vetëm një farsë

"Ky grup verifikimi është antikushtetues ndaj them që në fillim që ky komision është i paligjshëm. Ne nuk pranojmë të bëhemi pjesë e kësaj paligjshërie ndaj largohemi"- tha deputeti i
PD-së Oerd Bylykbashi para largimit nga komisioni.

Armando Subashi i cili ka drejtuar dhe grupin e kontrollit duke lexuar raportin para deputetëve u shpreh se Xhuka refuzoi dy herë t’i përgjigjet grupit të deputetëve për kontroll.

”Nga kontrolli në ILDK rezulton se puna e Xhukës lë për të dëshiruar. Deklaratat e pasurisë ishin të pa arkivuara. Në ILDKP të lindte dyshimi se deklaratat mund të ndryshoheshin. Nga 6 mijë subjekte, vetëm për 4700 ishte hedhur shorti”, tha ai.

 Pas miratimit të raportit, Fatmir Xhafa, kreu i Komisionit të Ligjeve ka deklaruar se tashmë ai do t’i përcilllet Kuvendit të Shqipërisë, ku do t’i bashkangjitet edhe qëndrimi i opozitës, i shprehur nëpërmjet deputetit Bylykbashi.

RAPORTI PER XHUKEN
Në raport theksohet se emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin pasi ajo nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 12 që sanksionon se kreu i ILDKP duhet të ketë arsimin e lartë si Ekonomist Financier ose Jurist si dhe eksperiencë në profesion jo më pak se 10 vjet, kërkesa këto që Xhuka nuk i përmbush. Grupi i kontrollit i përbërë vetëm nga mazhoranca rendit edhe një sërë shkeljesh nga kryeinspektorja si dhe refuzimin e saj për të bashkëpunuar me Parlamentin gjë e cila u bë edhe shkaku i ngritjes së komisionit të posaçëm.

Kjo nismë e mazhoracës pritet që të thellojë edhe më shumë konfliktin me opozitën pasi heqja dorë nga ky raport u bë edhe një nga klauzolat e vendosura për miratimin e reformës administrative.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com
)