Komisioni i Ligjeve/ Veliaj kërkon 'ndihmë' për të shpëtuar sektorin e transportit publik: Bashkia 1 mln dollarë subvencion! Të heqim TVSH e biletës që mos rritet çmimi

Kur jemi 1 muaj larg miratimit të buxhetit të vitit 2022 nga ligjvënësit, palët e interesit janë duke u paraqitur në komisionet parlamentare për të parashtruar kërkesat e tyre. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sektori i transportit publik është në prag të kolapsit, ndikuar edhe nga rritja e çmimit të karburanteve. Veliaj kërkoi 'ndihmë' për të shpëtuar këtë sektor, teksa dha edhe disa propozime. Veliaj tha se Bashkia do të subvencionojë 1 milion dollarë për të shpëtuar këtë sektor, por theksoi se të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e 'barrës' që i takon.  

"Kemi një paketë që të bëhet i menaxhueshëm i industrisë së transporti publik që sot është në prag të kolapsit. Bashkia është përgatitur të bëjë subvencion 1 mln dollarë për të shpëtuar transportin publik, por duhet që secili të bëjë pjesën e vet të barrës", tha Veliaj.

Për të mos patur një rritje të çmimit të biletës, Veliaj propozoi që të hiqet TVSH e biletës, për të cilën tha se është marrë dakordësia edhe nga qeveria.

"Një nga problematikat që kemi, për të cilat kemi marrë edhe dakordësinë e qeverisë, është transporti publik. Sot jetojmë në një situatë ku  tregu i naftës është ky që është dhe ne kërkojmë që ai vullneti i qeverisë të reflektohet dhe një dakordësi në parlament, kur vjen puna për të ndihmuar sidomos operatorët e transportit publik. Ne nuk duam kurrsesi të rrisim çmimin. Vetëm për nivelin e tregut dhe çmimit të naftës ne sot jemi të ç'balancuar. Një propozim që kemi bashkë me qeverinë është të heqim TVSH e biletës dhe automatikisht në vend të rrisim biletën me 20% e rikuperojmë me heqjen e TVSH. Po ashtu mund të bëhen veprime dhe kur vjen puna me doganën dhe TVSH e mjeteve të transportit publik, tjetër mund të jetë rimbursim i TVSh apo akcizës së naftës", u shpreh ai.

Ndërsa Erion Isai i Kolonjës parashtroi shqetësim për pagat e punonjësve në administratë dhe mungesën e psikologëve e të punonjësve socialë në shkolla.

"Niveli i pagave në pushtetin lokal. Bëhet e vështirë gjetja dhe rekrutimi i specialistëve. Demotivohen nga niveli i pagave. Do ishte  mirë në emër të këtyre njerëzve të reflektohet një unifikim ose kompesim i nivelit të pagave.Tek pjesa e arsimit.... vjen fondi vetëm për funksionin dhe nuk reflektohet as tek psikologët dhe mbështetja sociale. Nuk arrijmë do të nisim projekte sepse fondet nuk mjaftojnë. TVSH është e lartë", tha ai.

Por debate ka pasur mes përfaqësuesve të opozitës dhe krerëve të bashkive të pranishëm në këtë seance dëgjimore.

Demokrati Dashnor Sula i akuzoi krerët e bashkive për korrupsion ndërsa shtoi se ata faturojnë fshatarët me taksa për të cilat nuk do të duhet të paguanin.

"Pse duhet të paguajë taksë dikush në Zallbastar, paguan taksë ndriçimi ndërkohë që s'ka, ka Bërzhita por s'ka Qafmolla. Të paguash taksë kur s'të ofrohet ky shërbim është vjedhje nga ana e bashkive që ia bëjnë qytetarëve. Paguajnë taksë toke , por a e dini ju se atje mungesa e  fuqisë punëtore mungon? A e dini ju që personat që janë me ndihmë ekonomike me rritjet e çmimeve nuk i përballojnë dot nevoja me 36mijë lekë? Do i mbështesja plotësisht çka kërkuan përfaqësues të shoqatave të bashkive. Do ta ngre me forcë që problematika kryesore e mos zgjidhjes së problemeve të qytetarëve e ka emrin korrupsion ", u shpreh ai.

Kreu i bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu reagoi pas akuzave, duke kërkuar ndalimin e sulmeve personale politike.

"Është një proces i gjatë, nëse ne do nominohemi me akuza direkte na lini të shkojmë në punë, na lini se kemi 1001 probleme. Më vjen keq që akuzoni personalisht kryetarët e bashkive bashkive për arsye politike", tha Ndreu.

Sot në Komisionin e Ligjeve pati seancë dëgjimore edhe me Gjykatën Kushtetuese, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, mMinistrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme e Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
Ministri i Drejtësisë: Burgu i Zaharisë do të mbyllet brenda nëntorit, të dënuarit me probleme të shëndetit mendor do kalojnë nën administrimin e 'Shëndetësisë'

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bën me dije se burgu i Zaharis, ku qëndrojnë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor, do të mbyllet në muajin nëntor. Ai bëri me dije se, sipas një rekomandimi të Këshillit të Europës, të dënuarit me probleme të shëndetit mendor do të duhet të kalojnë nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai theksoi se janë 329 persona që janë në burgun e Zaharisë dhe që do të akomodohen përkohësisht në godinën e burgut të Shënkollit, si zgjidhje tranzitore deri në kalimin drejt një institucioni të posaçëm.

"Më lejoni të jap shifrën e saktë të personave të ndodhen në instutucionin e trajtimit të posaçëm, janë 329 persona në burgun e Zaharisë, ka një rekomandim të Këshillit të Europës, që kjo kategori, persona me masë shëndetësore, do të duhet të  kalojnë në administrimin e min. shëndetësisë. Kemi dakordësuar për një zgjidhje tranzitore derisa të kalojnë drejt një institucioni të posaçëm, ne do ti akomodojmë në bllokun 4 dhe 5 të Shënkollit.  Zaharia do të mbyllet brenda nëntorit. Unë pres vlerësimin e fundit nga ekspertët për të marrë në dorëzim vlerësimin e punimeve në bllokun 4 dhe 5 do të firmos kalimin e këtyre personave me masë shëndetësore nga Zaharia te ai i Shënkollit", tha Manja.

Ora 11:15
Komisioni i Ligjeve, Gjykata Kushtetuese kërkon shtesë në buxhet për rikonstruksionin e godinës dhe dixhitalizimin! Pro edhe opozita

Në Komisionin e Ligjeve, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar shtesa në buxhet për rikonstruksionin e godinës dhe dixhitalizimin. Buxheti i përcaktuar për Gjykatën Kushtetuese është 156,79 mln lekë, ndërsa kërkesa është bërë për një shtesë prej 5 mln lekësh. Dakord me këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese ka rënë edhe opozita në Komision.

Nga ana tjetër edhe deputeti Fatmir Mediu ka kërkuar të zbatohet pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet qartësuar ky term, pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese për rolin që ka kjo gjykatë për veprimet e kuvendit dhe qeverisë. Kjo i jep autoritetin e duhur Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë është vënë me ligj duhet definuar qartë kush është autoriteti i Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e saj prish rendin e funksionimit të shtetit. Besoj se duhet të biem dakord. Më shumë se të flasim për krijimin e dinjitetit duhet të arrijmë që këtë institucion ta sjellin në standardet europiane. Nëse nuk i japim autoritet Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i japim asnjë institucioni tjetër. Unë mendoj që duhet të mendojmë më shumë se kaq për ta sjellë Gjykatën Kushtetuese në nivelin që i takon”, u shpreh Mediu.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gentjan: 09/11/2021 14:16

    Dmth kjo qenka loja, te hiqet tvsh e bilete dhe kthehet ajo e naftes. Bukur bukur. Vetem per Tiranen apo gjithe Shqiperine? Urbanet apo dhe interurbanet? Keni ndonje projekt nen tryeze per "koncesionimin" e ketyre sherbimeve, per te bere ca para. Nese Tirana eshte bashkia me e madhe ne vend, me buxhetin me te madh, me taksat me te medhaja, dhe te ardhurat, kuptohet, a nuk keni ndonje ide qe te perdorni fondet qe keni? Psh jo 1mil por 10te! Ose ndonje projekt trami elektrik, bus elektrik. Apo i keni vetem per cobenet panelet diellore qe te charge iphone???? Cfare makuterie qe kane more.

    Përgjigju
  • Emigrati: 09/11/2021 12:43

    Fillun edhe ne shqiperi si ne itali te kerkojn borxhe per te shpetuar kompanit e trasportit pastaj faimentojn me borxhe te pa shlyme dhe paret se dijn ku shkojn ju lumt merrni shembull italin medet po msoni prej gjermanis anglis etj..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë