Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, miratoi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, vetëm me votat e mazhorancës. Projektligji do të plotësohet me të gjitha aktet nënligjore brenda 2 vitesh dhe pritet të kalojë në seancën plenare të 16 tetorit për miratimin final.
Me këtë kuadër të ri ligjor, piramida e menaxhimit të mbetjeve do të nisë nga parandalimi, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi, trajtimi përfundimtar ose incenerimi.
I gjithë zbatimi i këtij ligji dhe ngritja e infrastrukturës, pra nga shpërndarja e koshave, tek ngritja e stacioneve të diferencimit apo landfilleve sipas standardeve evropiane kushton gati 700 milionë euro.
“Afro 683 milionë euro kostoja e 10 viteve të ardhshme për trajtimin e mbetjeve, ndërsa Buxhetimi i këtij viti është në rreth 90 mln euro. Sa i takon kostove operative, ato arrijnë në 109 milionë euro dyfishim me shpenzimet aktuale”, deklaroi ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj në Komision.
Për shkak të kostos së lartë ministri tha se është kërkuar që përafrimi me BE-në të zgjasë përtej mbylljes së negociatave të anëtarësimit.
“Ne jemi në negociata me BE që këtë objektiv ta shtyjmë, sepse asnjë shtet nuk e ka arritur. Ky është një investim kapilar nga koshat në shtëpi, nga koshat bashkiak, tek landfille e deri tek menaxhimi i integruar”, tha Jaupaj.
Edhe me kuadrin e ri ligjor mbetet i bllokuar importi i mbetjeve që përdoren edhe në BE, edhe pse opozita dhe një pjesë e deputeteve të mazhorancës ishin pro lejimit të importit me qëllim që të ricikloheshin nga industria në vend, ose të përdoreshin si lëndë djegëse nga industri të tjera.
Ministri Jaupaj tha se importi i mbetjeve nuk do të zhbllokohet derisa të jetë ngritur infrastruktura e mbetjeve, si dhe vendi të jetë pjesë e BE-së.
“Derisa të krijohet e gjithë infrastruktura e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve, bashkë me digjitalizimin për kontrollin e tyre, kemi gjykuar që importi do të jetë i ndaluar. Pasi ne të jemi pjesë e BE-së do të ketë qasje tjetër, pasi mbetjet konsiderohet. Në këtë moment, për shkak të mungesës së elementeve për të menaxhuar këtë gjë, ndalimi i importit do të jetë në fuqi”, tha ministri.
Kompetencat kryesore do ti ketë Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve AKEM, e cila, pasi ligji të hyjë në fuqi do të kthehet në një shoqëri aksionere dhe pritet të marrë emrin Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Ky operator do të ketë përgjegjësi për ngritjen e infrastrukturës të trajtimit të mbetjeve, ndërsa bashkitë do të kenë si detyrë, menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake dhe diferencimin e tyre.
Komente










