Komiteti i Senatit e miraton Mike Pompeon për sekretar të Shtetit

Komiteti i Senatit e miraton  Mike Pompeon për sekretar të Shtetit

Mike Pompeo

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara miratoi emërimin e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, në postin e sekretarit amerikan të Shtetit.

Emërimi i Pompeos u miratua me të 11 votat për të republikanëve, ndërsa nga dhjetë demokratët e Komitetit, nëntë votuan kundër.

Pompeo është zgjedhja e presidentit amerikan, Donald Trump, pasi ky i fundit ka shkarkuar sekretarin e deritanishëm të Shtetit, Rex Tillerson.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e mirëpriti votimin në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe tha se Senati tani ka vota të mjaftueshme për të konfirmuar Pompeon, këtë javë, në postin e sekretarit. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Pompeos të ndiqte një samit të NATO-s më 27 prill.

“Shtetet e Bashkuara do të kenë një krye diplomat që gëzon besimin e plotë të presidentit”, tha McConnell.

Pompeo është bërë një nga këshilltarët më të besueshëm të Trumpit gjatë 15 muajve të tij si drejtor i CIA-s.

Së voni, ai ka qenë i përfshirë thellë në përgatitjet e një takimi të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Derisa demokratët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë e kanë kundërshtuar Pompeon, duke e konsideruar si luftarak dhe të ashpër ndaj Islamit, ai e ka mbështetjen e së paku tre demokratëve në Senatin e plotë dhe asnjë republikan nuk është shprehur kundër. Kjo do të thotë se ai e ka të sigurt konfirmimin për sekretar të Shtetit.

Megjithatë, miratimi në Komitet ka qenë në dyshim për disa ditë, për shkak të kundërshtimeve nga senatori republikan, Rand Paul, i cili e ka kritikuar Pompeon për mbështetjen e luftës së SHBA-së në Irak.

Por, Paul ka ndryshuar qëndrim në minutën e fundit, pasi, siç ka thënë, ka marrë garanci nga Pompeo se ai tani beson se lufta në Irak ka qenë “gabim” që e “ka destabilizuar rajonin”.

Paul tha se Pompeo i ka thënë atij se ai po ashtu dëshiron të përfundojë përfshirjen e SHBA-së në Afganistan.

Vota e Paulit bëri që Pompeo të shmangë mundësinë e të qenët i nominuari i pari në histori që refuzohet nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Trump e ka shkarkuar sekretarin e tij të parë të Shtetit, Tillerson, muajin e kaluar, duke u thirrur në dallime rreth çështjeve kyçe, përfshirë marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë