Kompania amerikane AAFS Infrastructure and Energy LLC, e lidhur me persona pranë presidentit amerikan Donald Trump, ka njoftuar planet për ndërtimin e një qendre të dhënash (data center) me kapacitet 100 megavat në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Vlera e investimit llogaritet rreth 530 milionë euro.
Sipas Forbes BiH, bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha teknologjike të planifikuara në Bosnjë-Hercegovinë dhe pjesë e një pakete më të gjerë investimesh në energji, transport dhe infrastrukturë digjitale.
AAFS u themelua në shtetin amerikan Wyoming në nëntor të vitit 2025. Kompania drejtohet nga Joseph Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Donald Trump, Michael Flynn, ndërsa zëvendëspresident është Jesse Binnall, avokat që ka përfaqësuar Trump pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Në Sarajevë është regjistruar edhe dega e kompanisë për Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa drejtues për vendin është Amer Bekan.
Përveç qendrës së të dhënave, kompania ka njoftuar më herët edhe projekte të tjera, si gazsjellësin e Interkonjeksionit Jugor mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ndërtimin e tre centraleve me gaz në Mostar, Kakanj dhe Tuzla, si edhe interes për koncesionet e aeroporteve ndërkombëtare të Sarajevës dhe Mostarit. Vlera e përgjithshme e projekteve të shpallura tejkalon 2 miliardë euro.
Megjithatë, aktualisht bëhet fjalë vetëm për plane. Realizimi i tyre varet nga ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet dy shteteve për gazsjellësin, sigurimi i financimit dhe përfundimi i procedurave për dhënien e koncesioneve.
Ministri federal i Energjisë, Vedran Lakić, ka deklaruar se punimet nuk mund të nisin pa u zgjidhur çështja e pronës shtetërore, pasi rreth 30% e traseve të gazsjellësit kalojnë në parcela në pronësi të shtetit.










Komente
Komento