Kompania INSIG del në shitje
për 15 milionë euro

Kompania INSIG del në shitje<br />për 15 milionë euro
TIRANE- Ndoshta këtë herë shteti do të “qëllojë në shenjë” me një privatizim, i cili ka vite që nuk po realizohet dot. Por, gjithsesi, vështirë ta bëjë me shifrën, që ka llogaritur për ankandin fillestar.
Fjala është për kompaninë e vetme 100% shtetërore në tregun e sigurimeve, INSIG, e cila, sipas Zamir Stefanit, drejtor në ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit, do të dalë në privatim gjatë muajit shkurt. Ai tha dje se vlerësimi financiar që është bërë nga ky dikaster për kompaninë është 15 milionë euro, çka, me sa duket, do të jetë edhe vlera fillestare, me të cilën do të hapet procesi i privatizimit me tender të hapur ndërkombëtar.
 
Procesi 
Aktualisht, INSIG sh.a. nuk gëzon më statusin e ndërmarrjes së sektorit strategjik, sipas parashikimeve në ligjin nr.10166, datë 15.10.2009, “Për disa ndryshime në ligjin nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar. Si i tillë, personi juridik INSIG, sh.a., në të cilin shteti gëzon 100% të të drejtave si aksionar, nuk është e nevojshme të trajtohet si privatizim strategjik për procesin e privatizimit, pra i nënshtrohet një procedure të thjeshtuar shitjeje.
 
Historiku
Nuk është hera e parë që ky subjekt del në shitje. Në vitin 2010, ka qenë një firmë amerikane, që u shpall fituese e garës, pasi deklaroi se do t’i blinte të gjitha aksionet në pronësi të shtetit për 50 milionë dollarë, por më pas u tërhoq nga procedurat e tjera, duke bërë të dështonte shitja.

Opozita e atëhershme e majtë akuzoi qeverinë Berisha për afera të dyshimta dhe lidhje të amerikanëve me ish-ministrin Fatmir Mediu, ndërkohë që vetë amerikanët sollën si argument për tërheqjen goditjen nga kriza globale, që kishte dëmtuar financat e tyre.
E vërteta vështirë të mësohet ndonjëherë.

Në mars të vitit 2013, pak javë pasi ishte miratuar kalimi i INSIG-ut nga “pronësia’ e Ministrisë së Financave, tek ministria e Ekonomisë, Kuvendi i Shqipërisë ka shfuqizuar edhe formulën e atëhershme për privatizimin e kompanisë, duke autorizuar ministrin Ahmetaj të gjente një zgjidhje tjetër për shitjen e kompanisë. Vendimi thjesht përcaktonte ministrinë e Ekonomisë si organizuese të procedurave.
Në qershor të vitit të kaluar u tha se INSIG do të kalonte në duar të privatit jo më larg se fundi i 2015-ës, por kjo nuk ndodhi.
 
Çmimi
Kompania në fakt ka një pjesë jo të madhe të tregut në vend, por është e përhapur edhe në Kosovë e Maqedoni. Por vjet, të paktën, sipas asaj që deklaruan ekspertët e fushës, vlerësimi për asetet e kompanisë do të ishte rreth 1 miliard lekë, ose 7 milionë euro.
 
Privatizimet
Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë në dhjetor 2015 paketën e dytë të privatizimeve të objekteve shtetërore. Lista përbëhet nga 70 objekte të grupuara sipas rretheve, të cilat do të shiten me ankand si objekte jostrategjikë, kryesisht ndërtesa të ish-kooperativave bujqësore apo fermave.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat