Kompania Meta do të paguajë deri në 17.1 miliardë dollarë për të mbyllur një proces gjyqësor në SHBA, ku akuzohej se platformat e saj Facebook dhe Instagram dëmtonin mirëqenien e të rinjve dhe nxisnin varësinë nga rrjetet sociale. Marrëveshja nuk përfshin pranimin e fajësisë nga kompania, por e detyron atë të vendosë kufizime të reja për përdoruesit e mitur.
Padia e akuzonte kompaninë se kishte dëmtuar me vetëdije mirëqenien e të rinjve përmes platformave të saj por tani sipas marrëveshjes, Instagram dhe Facebook do të vendosin kufij të rinj për përdorimin e platformave nga adoleshentët. Të miturit nuk do të mund t'i përdorin aplikacionet nga mesnata deri në orën 06:00, ndërsa njoftimet do të heshten nga ora 22:00 deri në 07:00.
Gjithashtu, gjatë vitit shkollor aplikacionet nuk do t'u dërgojnë njoftime fëmijëve nga ora 08:00 deri në 15:00. Adoleshentët nuk do të shohin më numrin e pëlqimeve apo reagimeve në postime.
Marrëveshja parashikon gjithashtu kufizimin e përdorimit të kombinuar të Instagram dhe Facebook në dy orë në ditë, me ndërprerje çdo 15 minuta për përdoruesit që lëvizin vazhdimisht në aplikacione. Këto masa do të zbatohen për pesë vjet. Nëse edhe Snapchat, TikTok dhe YouTube vendosin kufizime të ngjashme, limiti do të ulet në 60 minuta në ditë për një periudhë 10-vjeçare.
Meta do të paguajë të paktën 12.1 miliardë dollarë gjatë 10 viteve për të zgjidhur padinë, ndërsa shuma mund të rritet deri në 17.1 miliardë dollarë, në varësi të marrëveshjeve me kompani të tjera të mëdha të rrjeteve sociale.
Sipas autoriteteve amerikane, kjo është marrëveshja më e madhe e arritur ndonjëherë kundër një kompanie të teknologjisë së madhe ("Big Tech"), ndërsa hetimet dhe proceset ligjore ndaj Meta-s dhe kompanive të tjera të rrjeteve sociale vijojnë.







Komente
Komento