Kompania ndërkombëtare e kërkimit të naftës Petromanas Energy ka mbyllur përfundimisht degën e saj në Shqipëri. Më 12 qershor, Petromanas Albania ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit vendimin zyrtar për likuidimin e zyrës në vendin tonë.

Përmes dokumentit, kompania njofton kreditorët për likuidimin e kompanisë dhe i fton ata për depozitimin e pretendimeve të mundshme ndaj saj.
 
Shitja
Kompania Petromanas Energy Inc. kishte njoftuar që më 1 shkurt të vitit 2016 se kishte hyrë në një marrëveshje shitblerjeje me Shell Upstream Albania B.V. (“Shell”), një degë që është tërësisht në pronësi të Royal Dutch Shell, sipas të cilës Shell ka rënë dakord që të marrë asetet shqiptare të Petromanas për 45 milionë dollarë. Ky transaksion u realizua pak muaj më vonë. Më parë Shell kishte 25% të aksioneve në aktivitetin në Shqipëri.

Petromanas Albania GmbH dhe Shell kanë qenë pjesë të kontratës së përbashkët në bllokun mbi tokë (“Blloku 2-3 PSC”) dhe janë pjesë në një marrëveshje të përbashkët operative për Bllokun 2-3 PSC.

Kompania Petromanas u shpreh se ky transaksion do të sjellë përfitime pasi do të kthejë kapitalin te aksionerët, do të mundësojë tërheqjen nga aktivitetet në Shqipëri në mënyrën e duhur dhe do të ofrojë kapital që kompania të riorganizohet, përfshirë vendimet strategjike të aseteve në Francë.
 
Kompanitë
Petromanas Energy Inc është një kompani ndërkombëtare e naftës dhe gazit fokusuar në eksplorimin dhe zhvillimin e aseteve të saj në Shqipëri. Nëpërmjet degës së saj tërësisht në pronësi, ka patur një kontratë të ndarjes së prodhimit me qeverinë shqiptare.

Në dhjetor të vitit 2013, Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve bëri të ditur se, pas 4 vjet kërkime në Blloqet Shpiragu 2 dhe 3, kompania Royal Dutch Shell Plc. dhe kompania Petromanas Energy Inc. njoftuan rezultatet pozitive të testit të pusit Shpiragu-2.

Ky zbulim ngjalli interesin e shumë kompanive për të eksploruar për naftë në Shqipëri. Në korrik 2015, Shell i është përgjigjur ftesës së qeverisë shqiptare për të zhvilluar nxjerrjen e naftës në blloqet e paaktivizuara ende kryesisht në zonën e Dumresë.
 
Problemet
Por thellësia rreth 6.000 metra në të cilët gjendet nafta në këto zona bashkë me vështirësitë që kanë krijuar shtresat argjilore, ka krijuar kosto më të larta nga parashikimet fillestare të kompanisë së shpimit. Ndaj edhe planet e investimet në kontratë u rishikuan.

Nga ana tjetër, veç kostos së lartë që ka shpimi në thellësi të tilla, duhet mbajtur parasysh edhe fakti që çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar kanë rënë me 40 për qind që nga koha kur kompania nisi shpimin në pusin e parë. Dhe, ndërsa kostoja për shpinim e një pusi i kalon 40 milionë dollarët, sipas burimeve zyrtare të kompanisë, çmimi më të cilin shitet nafta bruto sot nuk justfikon investimin.

Por, përveç kostove të parashikuara të shpimit, Petromanas ka listuar si risqe të aktivitetit të saj në Shqipëri edhe miratimet e nevojshme operative rregullatore nga qeveria shqiptare, pritjet dhe supozimet në lidhje me çmimet e mallrave, këmbimin valutor, efikasitetin e kapitalit dhe kosto-kursimet, ligjet tatimore, pa harruar riskun politik.

Megjithatë, lajmi i mirë mbetet që kompania gjigande holandeze Royal Shell nuk hoqi dorë nga investimi i saj në Shqipëri. Tani ajo mund të përfitojë nga shfrytëzimi si ortak i vetëm i fushës naftëmbajtëse në afërsi të Beratit.


dy.b/shqiptarja.com