"Komplot" në PS për
kryetarin e ri të Tiranës

kryetarin e ri të Tiranës">
Ka marrë përmasat e një “komploti” të vërtetë zgjedhja e kryetarit të PS të qytetit të Tiranës, proces që pritet të zhvillohet më 20 shkurt, pikërisht ditën e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha. Strukturat e PS në Tiranë, në vend që të rrezatonin imazhin e partisë në të gjithë Shqipërinë, për sa i përket respektimit të statutit në zgjedhjen e strukturave dhe të forumeve të saj, sipas burimeve brenda strukturave më të larta të socialiste, po jep një shembull për të mos u pasur zili në të gjithë vendin. Ose së paku në ato 117 njësitë vendore në të cilat nuk janë zgjedhur ende krerët e organizatave, asambletë drejtuese dhe në fund të krerët të PS për të gjitha këto njësi vendore.

Madje jo vetëm referuar statutit por dhe logjikës së zgjedhjeve në një parti politike, gjithçka me sa duket në degën më të madhe të PS në Shqipëri, pra në qytetin e Tiranës, shtojnë këto burime zyrtare, është nisur së prapthi duke përvijuar në këtë rast një serë veprimesh antistatutore që mund të çojnë në një çarje serioze në PS e kryeqytetit. Teksa kryetari i PS, Edi Rama ka kërkuar pak ditë më parë që të përfundojnë urgjent zgjedhjet në 117 njësitë vendore ku ende nuk janë zhvilluar, në kryeqytet tashmë përplasjet janë të hapura. Mësohet se mbrëmë rreth orës 21.30, sipas këtyre burimeve, janë thirrur në selinë e PS drejtuesi i komanduar i PS të Tiranës, Sajmir Tahiri, drejtuesit e njësive bashkiake që janë aktualisht, të zgjedhur dhe të komanduar, dhe nën prezencën dhe të sekretarit të Organizimit në PS, Klosi është zhvilluar një mbledhje e shkurtër ku është kërkuar që të sillen në parti të gjitha kandidaturat për kreun e PS për qytetin e Tiranës, mes të cilëve do të përzgjidhet më 20 shkurt kryetari i ri.

Pikërisht këtu, shprehen burimet brenda forumit të lartë të socialistëve, ka nisur shkelja e statutit të PS. Pasi nuk mund të zgjidhet kryetari i PS për qytetin e Tiranës, pa u zgjedhur më parë kryetarët e PS për 11 njësitë bashkiake, nga të cilat katër prej tyre aktualisht janë pa kryetarë.

Sipas këtyre burimeve, logjika e zgjedhjeve në parti, por dhe sipas statutit të PS, është që zgjedhjet fillojnë që nga kryetarët e organizatave, që bashkë me delegatët e kongresit, si dhe ata që dalin nga votimi në njësinë bashkiake përbëjnë asamblenë, ku votimi bëhet në të njejtën kohë si për këtë trupë drejtuese e PS, ashtu dhe për kryetarin e PS për njësinë bashkiake në kryeqytet. Pastaj kalohet te zgjedhja e kryetarit të qytetit, ku sërish votimi bëhet në të njëjtën kohë me anëtarët e asamblesë së madhe të qytetit, e cila përbëhet dhe nga kryetari, por dhe nga delegatët dhe nga 11 kryetarët socialistë të njësive bashkiake të kryeqytetit.

Burimet saktësojnë se të gjitha këto lëvizje janë jashtëstatutore, madje nuk ndjekin as rrjedhën e zgjedhjeve brenda në PS, të cilat duhej të kishin përfunduar në të gjithë vendin përpara kongresit të PS, duke i cilësuar të gjitha këto veprime pas kongresit si jashtëstatutore. "Ne nuk duhet të interesohemi për zgjedhjen thjeshtë të kryetarit të PS të qytetit të Tiranës, por duhet të mendojmë se si duhet të rigjenerohet partia në kryeqytet. Dega e Tiranës rrezaton në gjithë Shqipërinë, është më e ndriçuar, ka më shumë intelektualë dhe zgjedhja duhet t'i shërbejë imazhit të partisë. Pra jo caktimit të një kryetari partie, pasi gjithnjë ndër vite dega e PS Tiranë ka reflektuar kulturë, konkurrencë dhe inteligjencë.

Kanë lënë një mbledhje në 9.30 e darkës te PS. Sekretari i organizimit dhe kryetari i komanduar i PS Tiranë, që është dhe kandidat, therrasin ata që ata janë ngarkuar për njësitë, të cilëve një pjese u ka mbaruar mandati, për të dhënë emrat e kandidatëve për kryetarin e PS të qytetit të Tiranës. Çfarë mesazhi përcjell te njerëzit kjo mbledhje e natës", ka nënvizuar zyrtari i lartë u PS. I cili ka nënvizuar se po përdoret emergjenca në të cilën ndodhet vendi për shkak të borës për të bërë këto veprime dhe zgjedhur drejtuesin e PS të qytetit të Tiranës.

Garuesit për kreun e PS Tiranë: S'dimë gjë

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar në media, tashmë janë bërë prezente kandidaturat që mendohet se do të garojnë përballë njëri tjetrit për të zgjedhur kryetarin e PS për bashkinë e kryeqytetit. Me sa duket ditën e djeshme janë hedhur në "treg" katër emra, të cilët thuhet se do të votohen pikërisht në ditën përkujtimore të shembjes së bustit të Enver Hoxhës. Ilir Zela, Andis Harasani, Sajmir Tahiri dhe Ilir Gjoni janë emrat nga të cilët, më datë 20 shkurt, do të dalë dhe fituesi për postin e kryetarit të PS Tiranë, i cili është lënë vakant, për shkak të dorëheqjes së Besnik Barajt, vetëm pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke marrë përgjegjësdinë personale për pamundësinë e ruajtjes së votës nga vjedhja e mazhorancës.

Për këtë periudhë, drejtimin e PS të Tiranës e ka marrë deputeti Sajmir Tahiri, i cili u komandua në këtë post deri në zgjedhje, por që dhe vetë është pjesë e garës për këtë post. Ndërkohë që kandidatët Tahiri e Harasani një ditë më parë s'kanë pranuar të bëjnë asnjë koment në lidhje me kandidimin për këtë post, kurse Gjoni nënvizoi se as në ëndërr nuk e kishte parë idenë për kandidim, tashmë në media hamendësohet se pikërisht këta do të jenë kandidatët.

Ndërsa Zela tha se s'dinte asgjë zyrtarisht, pasi janë strukturat që vendosin, duke u shprehur se gjithsesi është i gatshëm për të kontribuar nëse i kërkohet. Por që nga PS ende nuk ka një vendim zyrtar si për datën ashtu dhe kandidaturat që do garojnë për drejtimin e PS të kryeqytetit. Gjithsesi burimet brenda PS bëjnë me dije se kandidatët për postin e kryetarit të PS për qytetin e Tiranës, pikërisht nga kjo katërshe mendohet se do të dalin, për të zgjedhur më pas dhe kreun e ri të PS për kryeqytetin.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin