TIRANË - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës thjeshton procedurat për dhënien e lejeve koncesionare për ndërtimin e Hec-eve. Nga 23 leje në institucione të ndryshme që duhet të nxirrte më parë një investitor për të marrë licencën, tani për 20 prej tyre mund të depozitojë kërkesën pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), dhe pas katër ditësh kërkesa depozitohet pranë Ministrisë së Energjetikës.
Ministri Naço tha sot se për autorizimin e lejeve do të aplikohet parimi i heshtjes. Nëse ministria nuk shprehet brenda afateve respektive ligjore, atëherë leja quhet e miratuar. “Nga ulja e burokracive do të përfitojnë edhe ata investitorë që kanë nisur procedurat për nxjerrjen e lejeve koncesionare”, tha ministri sot në konferencën për shtyp.
Ministria e Energjetikës ka lëshuar leje ndërtimi për rreth 300 hec-e private me kapacitet gjenerues të vogël dhe të mesëm në të gjithë vendin.

(aq/shqiptarja.com)