Kompanitë shqiptare Salillari dhe Kastrati, fitueset e vërteta të koncesionit të rrugës Milot-Kukës, të cilat janë pjesë në konsorciumin e kryesuar nga kompania e huaj “Catalyst”, që ka marrë me koncesion Rrugën e Kombit, do të përdorin sërish një kompani të huaj edhe për ta menaxhuar projektin.

Aktualisht, ato janë duke negociuar më kompani të mëdha italiane me përvojë në mirëmbajtjen e autostradave me koncesion, si psh kompania italiane “Autostrade per l’Italia”, që t’u besojnë menaxhimin e shërbimit në lidhje me pagesat dhe mirëmbajtjen.

Mendohet se ende do të duhen edhe disa muaj deri sa koncesioni të bëhet aktiv. Procesi i inventarit për dorëzimin e objektit nga shteti tek koncesionari ka zgjatur për shkak të disa mangësive që janë gjetur në punimet e mëparshme. Burimet nga grupi i punës që është duke u marrë me inventarin e objektit pohuan se, nga verifikimet në terren, janë gjetur investime të pakryera në bankina dhe në muret mbajtëse, ndërsa ishin raportuar si të kryera nga kompania Bechtel/Enka.

Gjithashtu, për t’i paraprirë vendosjes së trarëve të pagesës, po hapet ndërkohë një rrugë e ndërmjetme anës malit ku kalon tuneli i Thirrës. Instalimi i trarëve të pagesës kërkon kohë, ndaj, për të mos bllokuar trafikun, lëvizja do të vijojë përkohësisht në rrugën e re. Mirëmbajtja në Rrugën e Kombit është dhënë për një afat 30-vjeçar.

Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar.

Në këmbim do të mbledhë dhe do të mbajë të ardhurat nga taksa, e cila për automjetet e vogla është 5 euro dhe më pas do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe për të financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë ë re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë), buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para të paktën 65 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com