Beqaj i pandehur për sterilizimin, i komunikohet akuza shpërdorim detyre! Ish-ministri: SPAK nuk hetoi si duhet, e vërteta do dalë në gjykatë

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është zyrtarisht i pandehur për dosjen e sterilizimit. Beqaj u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua akuza shpërdorim detyre. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, ish-ministri hodhi akuza ndaj SPAK se në 50 muaj nuk ka hetuar si duhet koncesionin e sterilizimit.

Beqaj tha se nëse hetimet do ishin bërë si duhet, do kishin dalë në konkluzionin se ku koncesion ka kursyer financat publike si edhe xhepat e qytetarëve shqiptarë. Ai mbrojti koncesionin e sterilizimit, duke thënë se 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta, ndërsa tha se të vërtetën e tij do e ballafaqojë në Gjykatën e Posaçme.

“Prokuroria në 50 muaj nuk ia doli të hetojë dy elementë kryesorë që ka një proces sterilizimi, uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikut në spital. Nëse do kishin bërë këtë vlerësim, që ne do kërkojmë të bëhet, atëherë konvertimi i këtyre kursimeve në para do e nxjerrë një proces në përfitim për financat publike dhe xhepat e qytetarëve”, tha Beqaj.

Ish-ministri tha po ashtu se SPAK duhet të kishte hetuar se përse nga periudha, prill 2010 deri në shtator 2013, nuk ishte vendosur në punë centrali i sterilizimit, kur ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT.

“Për 50 muaj prokuroria nuk mori mundimin të hetojë se përse nga prilli 2010 deri në shtator 2013, centrali i sterilizimi i blerë u mbajt në qese, ndërkohë që ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT. Që nga fillimi i kontratës 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta. Në 50 muaj prokurorët nuk qenë në gjendje të bëjnë dy vlerësimi kryesore që bëhen për çdo PPP, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja e riskut mes privatit dhe publikut pas 8 vitesh zbatim konkrete. Unë të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë, ku besoj se do dalë e vërteta e përfitimeve që që kanë patur shqiptarët nga sterilizimi”, vijoi Beqaj.

SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur për dosjen e sterilizimit Beqajn dhe 8 të tjerë, këtyre të fundit iu komunikua akuza të premten e 15 marsit. SPAK pritet të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit. 

Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. 

SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Të akuzuarit dhe akuzat
Ilir Beqaj              'shpërdorim detyre"
Ilir Rrapaj             'Mashtrim'
Klodjan Rjepaj     'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Saimir Kadiu        'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Marsela Serjana    'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Arben Gjata          'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Naile Ajazi            'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Genc Byrazeri       'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'
Petri Mersini         'Falsifikim i dokumentave' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:28
Ilir Beqaj për Sterilizimin: Kurseu para, të vërtetën time e ballafaqoj në gjykatë

 

Ish-ministri Ilir Beqaj ka folur për mediat pasi iu komunikua akuza shpërdorim detyre nga SPAK për koncesionin e sterilizimit. Beqaj thotë se SPAK në 50 muaj nuk hetoi dy elementë kryesorë, uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikut në spital.

Beqaj tha se e vërteta do dalë në Gjykatëm e Posaçme, ndërsa thotë se do kërkojnë veprime hetimore shtesë.

Reagimi i plotë i Beqajt

Sot u paraqita në SPAK për tu njohur me: (1) vendimin e prokurorëve të çështjes për përfundimin e hetimeve, dhe (2) vendimin e prokurorëve për komunikimin e akuzës për shpërdorim detyre për çështjen e sterilizimit. E kam thënë dhe më parë, dhe po e përsëris. Unë të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë, dhe kjo ditë po afron.

SPAK duhet ta kishte filluar analizën për përgjegjësinë time si ish ministër që nga referimi i neneve përkatëse në Kushtetutë dhe në ligjin për kujdesin shëndetësor, sepse referuar atyre dispozitave unë dhënien e një shërbimi cilësor dhe të barabartë, nga veriu në jug të Shqipërisë e kam patur detyrim dhe mision. Çdo funksionar publik ka detyrim të përdorë me efiçencë fondet publike, por një ministër shëndetësie ka për detyrë të pakësojë shpenzimet nga xhepi i tyre që bëjnë qytetarët për kujdes shëndetësor.

Sot e kësaj dite shëndetësia ka shumë sfida, por vetëm falë kësaj reforme që ne bëmë për sterilizimin, sot njerëzit operohen të sigurtë në spitalet publike dhe nuk shkojnë tek privati vetëm për të shmangur infeksionin si deri në 2014. Nga fillimi  zbatimit të kontratës në cdo sallë kirurgjie të spitaleve publike janë operuar në kushte optimale 445 mijë qyetetarë shqiptare.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve. SPAK ka dashur të hetojë pse nuk u vu në punë centrali i sterilizimit nga prill 2010 deri në shtator 2013.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, SPAK nuk arriti të vlerësojë dy kriteret kryesore të një procesi sterilizimi (1) uljen e ditëve të qëndrimit pas operacionit dhe (2) uljen e ditëve të marrjes së antibiotikëve. Të dyja këto kritere vlerësimi konvertohen patjetër në vlerë monetare dhe nga ky konvertim shikohet më pas nëse shteti ka fituar apo ka humbur nga ky koncesion. Deri më sot SPAK nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me këto dy kritere vlerësimi.

SPAK nuk e pa të udhës të hetojë se si kanë ndryshuar nga para zbatimit të kontratës me aktualisht ditë qëndrimi për pacientët e kirurgjisë, infeksionet nozokomiale dhe rezistenca antimikrobike. Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, SPAK nuk e pa të të udhës të hetojë “vlerën e parasë” që është arritur me këtë kontratë, të hetojë çfarë risqesh të marra përsipër nga partneri privat janë materializuar gjatë zbatimit të kontratës. Këto janë kritere kryesore të vlerësimit të një partneriteti publik-privat.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, nuk rezulton që SPAK të ketë angazhuar ndonjë ekspert të shëndetit publik, të kirurgjisë apo të financave. Në katër muajt e fundit që prej komunikimit të fillimit të hetimit ndaj meje, kam qënë në dispiozicon të prokurorëve. Kemi bërë rreth 30 kërkesa për veprime hetimore shtesë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

A nuk duhet prokurorët të hetojnë dhe reflektojnë gjatë hetimeve edhe fakte që janë në favorin tim dhe provojnë të kundërtën e akuzës?! A kanë detyrim prokurorët që të zbatojnë nenin 8/a të Kodit të Procedurës Penale apo unë nuk kam asnjë lloj të drejte gjatë hetimeve?!

Akuzave të SPAK do t’i përgjigjemi me të vërtetën tonë e cila është më e fortë dhe e logjikshme mbi të gjitha. Do të kërkojmë të bëjmë deklarime shtesë. Do të kërkojmë veprime hetimore shtesë. Do të paraqesim memorie brenda datës 28 mars 2024. Ndërkohë, mesa duket këtë çështje do ta diskutojmë edhe në komisionin hetimor të Kuvendit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Po dhunonte të atin dhe e kërcënonte për ta vrarë, policia arreston në flagrancë 29-vjeçarin

Shkodër/ Po dhunonte të atin dhe e kërcënonte për ta vrarë, policia arreston në flagrancë 29-vjeçarin