I druheshin largimit nga Shqipëria. Kjo është arsyeja pse gjyqtari i GJKKO-së, Erion Bani ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Në argumentin e vendimit gjithashtu evidentohet fakti se të dy qëndrojnë më shumë jashtë sesa në Shqipëri.
Ky fakt zbulohet dhe në detajin tjetër që ndërsa masat e sigurisë u firmosën më 23 qershor 2023, u ekzekutuan dy muaj më pas, 16 – 17 gusht 2023. Rrapaj u prit që të hynte në Shqipëri nga Italia dhe u arrestua në Dhërmi ku kishte ardhur me pushime.
Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht zhvillimin normal të procedimit penal, duke pasur parasysh pasojat e veprës dhe marzhin e dënimit të veprës penale që dyshohet se kanë konsumuar që dënohet në 7 dhe 10 vjet burgim.
Gjithashtu gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS. Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë”, shkruhet në vendim.
Ndërkohë sot në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca ku të arrestuarit nga SPAK për koncesionin e sterilizimit do të njihen me masën e sigurisë. Avokatët kërkojnë masë më të butë sigurie.
Lajmi kryesor: