TIRANE - Kryeministri Berisha nuk iu përgjigj pozitivisht dje ftesës së drejtuesit të Këshillit të Atlantikut Verior shqiptar të drejtuar nga zv.ministri i Mbrojtjes Arjan Starova për të marrë pjesë në konferencën e 15-të që përkon dhe me 15 vjetorin e krijimit të këtij këshilli.

Pjesmarrja në të njejtën orë në ceremoninë e 70 vjetorit të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë, ka bërë që kreu i qeverisë Berisha të ndërrojë konferencën që bënte fjalë për sigurinë e rajonit të Ballkanit e ku merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA Alexandër Arvizu me vizitën në maternitet. Në këtë mënyrë Berisha ka shmangur Arvizu, duke zgjedhur të jetë bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, drejtorin e USAID për Shqipërinë, ambasadorë në vendin tonë, si dhe mjekë, infermiere e mami të kësaj qendre tek materniteti për të zbuluar më pas dhe pllakatin me emrin e Jani Bashos, drejtorit të parë të këtij spitali. Një vizitë që ka zgjatur gjithë gjithë 20 minuta, për t'u kthyer më pas në zyrën kryeministore dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e punës së përditshme pa lëvizur nga zyra, për shkak dhe të shkëputjes që ka pasur këto ditë me lëvizje në vend por dhe me vizita jashtë vendit, konkretisht në Bruksel ku ka marrë pjesë në takimin e partive anëtare të PPE.

Këtë axhendë konfirmojnë burimet brenda kryeministrisë, që saktësojnë se Berisha ka pasur ftesë nga Starova për të marrë pjesë në këtë konferencë për sigurinë në Ballkanin, ku merret pjesë dhe ambasadori i SHBA Arvizu, por nuk kishte si të shmangte vizitën te materniteti, takim që ishte përcaktuar në axhendë që dy javë më parë, përpara se të vinte ftesa nga zv.ministri i Mbrojtjes. Meqënëse vizita e Berishës ka zgjatur 20 minuta te materniteti, ndërkohë që konferenca për sigurinë në Ballkan ka filluar përpara si dhe ka përfunduar në orët e vona të pasditës, mospjesmarrja e Berishës përkrah Arvizu është komentuar si refuzim i tij për të dëgjuar fjalën e fortë të ambasadorit të SHBA kundër retorikës nacionaliste të përdorur nga Berisha, të cilën e ka cilësuar të rreme, për përdorim politik, të rrezikshme për rajonin. Sipas Arvizu veç të tjerave, fjala për një "Shqipëri të Madhe" të rreme është një shpërqëndrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot votuesit nuk duhet të bien pré e kësaj.

(Shkrimi u publikua sot ne gazetën, Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)