Shqipëria ka mbyllur këtë të martë tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm në rrugën e integrimit europian, duke theksuar se mbyllja e kapitujve përbën një vlerësim të qartë për progresin e vendit.

"Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim 3 kapituj të rëndësishëm negociatorë dhe ky nuk është thjesht një hap, po një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit. E sotshmja është edhe më e rëndësishme sepse thekson një mesazh mjaft të fuqishëm: Shqipëria jep rezultate dhe BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon",- tha Rama

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi ditën një "super të martë për zgjerimin", duke përgëzuar Shqipërinë për progresin e bërë. 

"Është në dorën tuaj që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë. Do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, tha Kos.

Kos u ndal edhe te kriteret mjedisore, duke bërë të ditur se edhe para nisjes së protestave në Tiranë ishte rënë dakord me qeverinë shqiptare për shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike, në kuadër të harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së. Sipas saj, Kapitulli 27 për mjedisin mbetet një nga më kërkuesit në procesin e negociatave. Komisionerja theksoi se protestat në Tiranë nuk ndikojnë në procesin e anëtarësimit.

“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin”,- tha Marta Kos.

Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare tha se ligji për zonate mbrojtura nuk do të shfuqizohet plotësisht, por do të modifikohet sipas nevojës për përshtatjen e tij me legjilacionin e BE-së.

I pyetur për projektin e investimit në Zvërnec dhe debatet që ai ka shkaktuar në Parlamentin Europian, Rama deklaroi se Komisioni Europian është i informuar për çdo zhvillim dhe se projekti po ecën sipas procedurave dhe standardeve europiane.

Sot Shqipëria mbylli Kapitullin 25, kërkimin shkencor, Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën si dhe kapitullin 30, atë të marrëdhënieve me jashtë.

Irlanda është vendi i radhës që kryeson Presidencën e Bashkimin Europian që nga 1 korriku.

Me mbylljen e këtyre 3 kapitujve, Shqipërisë i mbeten edhe 30 të tillë me ambicien për të përmbyllur negociatat teknike brenda vitit 2027.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:18
Rama: Shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjike, po hartojmë të riun! Ai për zonat e mbrojtura ndër më të mirët që kemi, do të trajtojmë pjesë specifike

Ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohet, tha kryeministri Rama në Konferencën Ndërqeveritare. Në bashkëpunim me Komision Europian, po hartohet ligji i ri ndërsa vlerësoi mirëformulimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Megjithatë, ky i fundit do të pësojë disa ndryshime që të jetë në përputhje të plotë me standardet europiane.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjikë sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht me Komisionin për atë që do ta shfuqizojë. Na duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet europiane dhe të ndryshojmë gjithçka që s’është në pajtim me standardet europiane. Shfuqizimi nënkupton anulim. Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, kemi punuar shumë fort. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike që duhet të jenë në pajtim të plotë me BE, edhe për këtë po punojmë me Komisionin. Shfuqizim nuk është një fjalë që e marrim si fjalë për të qenë në përputhje, është miratim 100% me standardet”, tha Rama.

Ora 20:15
‘Zvërneci’, Rama: Komisioni është i mirëinformuar, do të jemi rigorozë! Projekti do të jetë krenari për Shqipërinë dhe BE

I pyetur në Konferencën Ndërqeveritare për projektin e Zvërnecit dhe debatet që ka ngjallur në Parlamentin Europian, kryeministri Rama tha se Komisioni Europian është në dijeni të çdo zhvillimi. Gjithashtu siguroi se projekti do të kryhet sipas standardeve më të larta dhe do të jetë krenari për vendin dhe Europën.

“Nga vitet e gjata në detyrë, kur thua Bruksel është fjalë shumë komplekse. Për ne të gjithë zërat janë mjaft të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht, zëri i Komisionit. Komisioni është në krye të gjithçkaje duke qenë shumë i mirëinformuar bazuar në fakte. Në këtë botë informacioni dhe pikëpamjeve të debatueshme ku e vërteta gjen gjithnjë e më pak hapësirë, komisioni mbetet në fakt ai që mban fort objektivitetin sepse punon bazuar në fakte, të dhëna, burime të verifikuara. Jam i sigurt që edhe ju, nëse do të kishit interes për faktet, për të dhënat, burimet e verifikuara do të kuptonit se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk mund të shihet askund sepse s’është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave që prej ditës së parë. Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar tek  e vërteta. Për ne vlen libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe Komisionit të BE. Ideja që Shqipëria do të vazhdonte përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve ateistë në Shqipëri është pretendim pa bazë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipëri dhe Europën. Kjo është ambicia ime. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për vete dhe Europën. Do të jemi rigorozë për të mos kërkuar asgjë veç standardeve më të larta”, tha kryeministri.

Ora 20:15
Komisionerja Marta Kos: Qeveria shqiptare ka treguar gatishmëri për forcimin e mbrojtjes së mjedisit para protestave

“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin”,- tha Marta Kos.

Ora 20:04
Shqipëria mbyll 3 kapituj të negociatave me BE, Rama: Nuk kemi arsye të besojmë se procesi i zgjerimit mund të frenojë

 

"Ajo çfarë është e rëndësishme është që deri më tani jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz që është diskutuar dhe për të cilin është rënë dakord në ndërveprimin tonë me Komisionin. Dhe falë detyrave të pareshtura të shtëpisë që kemi bërë deri tani, ky kalendar bëhet gjithmonë e më ambicioz dhe ne duhet të punojmë gjithmonë më tepër, pareshtur.

Nëse atmosfera do të vazhdojë të jetë ajo çfarë kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të fundit, çdo gjë do të jetë aty ku duhet dhe çdo detyrë shtëpie do të bëhet si duhet. Deri tani nuk kemi ndonjë arsye të besojmë se do të ketë një ndryshim të atmosferës.

Dje në takimin e Koalicionit të Vullnetshëm patëm edhe një qasje për këtë proces, për vendet që janë në negociata aktive, dhe të gjithë janë të prirur që të shkojnë përpara, dhe të gjithë janë të prirur të gjejnë mënyra edhe më të shpejta për ta vlerësuar këtë. Gati për të ecur përpara dhe për t’u përballur edhe me sfidat nëse shfaqen.

Siç e thashë, presidenca irlandeze na jep komfort, sepse Irlanda është një vend që ka dëshmuar se progresi eksponencial është i mundshëm dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë përveç ekselencës si objektiv.

Të jesh i shkëlqyer në objektivin e presidencës do të thotë të mbyllësh më shumë kapituj me ne dhe të tjerët në fund të vitit",-tha Rama.

Ora 20:01
Mbyllja e 3 kapitujve të negociatave, Marta Kos: Krah Shqipërisë deri në fund

 

“Është një super e martë për zgjerimin”, tha Marta Kos duke vlerësuar punën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Ajo shtoi se qytetarët europianë e kanë përkrahur zgjerimin, teksa garantoi se Shqipëria do të ketë mbështetjen e saj derisa të përfundojë mandatin.

“Universitetet shqiptare janë pjesë e kërkimit europian. Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Ne mbështetemi te Shqipëria për të vazhduar për të këmbëngulur në reforma thelbësore. 94% e qytetarëve mendojnë se zgjerimi do të sjellë më shumë avantazhe. Udhëheqja politike dhe mbështeteja publike janë përtej dyshimit, një recetq shumë e fortë për sukses. Është në dorën tuaj që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë. Do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, tha Kos.