Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Poznan, orientim për politikat e Komisionit të ri

Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Poznan, orientim për politikat e Komisionit të ri

E ftuara më e rëndësishme e Konferencës së Ballkanit Perëndimor, i cili mblidhet çdo vit në një qytet tjetër europian që prej vitit 2014, pritet të jetë kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo është gjithashtu themeluesja nismës diplomatike të njohur si Procesi i Berlinit. Qëllimi i nismes është që, me ndihmën e disa vendeve anëtare të BE-së, t'i shoqërojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në rrugën drejt anëtarësimit në BE. 

"Rrugë me pengesa"

Në një mesazh me video përpara samitit, kancelarja e përshkroi këtë rrugë jo aq të  lehtë: "Ka ende shumë tensione dhe konflikte që duhen kapërcyer dhe shumë kushte që duhen plotësuar derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë gati për të hyrë në BE. Kështu që rruga është ende me pengesa", tha ajo.

Mbi të gjitha, konflikti mes Serbisë dhe Kosovës po rëndon integrimin e mëtejshëm. Nisma Merkel-Macron e prillit 2019 deri tani nuk ka mundur të tregojë suksesin e pritur. Takimi i nivelit të lartë në Paris, i planifikuar për 1 korrik, u shty, sepse Kosova nuk ishte e gatshme të pezullonte tarifat doganore ndaj produkteve serbe, të vëna në shenjë proteste ndaj aksioneve diplomatike të Serbisë kundër Kosovës. 

Lidhjet mes njerëzve

Procesi i Berlinit përpiqet të fokusohet te bashkëpunimi praktik midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, pavarësisht nga konfliktet e mëdha politike. Kështu për shembull, nën termin "Connectivity" , Bashkimi Evropian investon shumë para për të krijuar dhe forcuar lidhjet sociale, ekonomike dhe qeveritare mes vendeve në rajon, por edhe mes rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Një nga projektet më krenare të Procesit të Berlinit është krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me qendër në Tiranë. Ideja për të lindi në vitin 2016, në Konferencën e Ballkanit Perëndimor në Paris dhe prej atëherë janë vënë në dispozicion 1,9 milionë euro për projekte që nxisin lidhjet e drejtpërdrejta mes të rinjve në rajon me njëri-tjetrin, por edhe me të rinjtë e vendeve të BE-së. Me 900 000 eurot e para janë krijuar kështu mbi 1.300 partneritete.

Por edhe ky projekt ka vuajtur kohët e fundit për shkak të tensioneve të shtuara midis Serbisë dhe Kosovës. Kështu, takimi i parë i këtij viti në mars, i cili ishte paraparë të zhvillohej në Prishtinë, dështoi pasi Serbia refuzoi ta dërgonte përfaqësuesen e vet, me argumentin se ky faktikisht do të ishte një akt i njohjes së Kosovës.

Infrastrukturë dhe Energji

Një tjetër element i rëndësishëm i Procesit të Berlinit është bashkëpunimi ekonomik. Që nga viti 2015, BE ka shpenzuar gati  700 milionë euro për ta bërë sa më të lehtë atë, me projekte në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Këtyre u shtohen edhe  2,4 miliardë Euro  në formë kredish.  "Këto projekte sjellin dobi të prekshme për njerëzit në rajon", vëren Ardian Hackaj, nga Cooperation & Development Institute në Tiranë. "Ndryshe nga zgjerimi qe karakterizohet si proces i elitave, Procesi i Berlinit, që e vë theksin te konektiviteti, është qasja e munguar nga poshte-lart", thekson Hackaj për DW.


Samiti i pestë u zhvillua në korrik 2018 në Londër, në hijen e Brexit-it

Një nga arritjet e mëdha të kohëve të fundit ka qenë reduktimi i tarifave roaming që nga 1 korriku i këtij viti. Tani shpresohet të arrihet edhe njohja e diplomave. Megjithatë, ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur. Për shembull, heqja e kontrolleve të dyfishta doganore, të cilat e zgjasin shumë kohën e transportit të mallrave, thotë për DW një ekspert ekonomik i qeverisë  gjermane. E për këtë mungon vullneti i duhur politik, qorton ai.

Testi litmus për procesin e zgjerimit

Nisur nga fakti që tani të gjithë janë në pritje të riformimit të Komisionit të BE, që pritet të ndodhë në vjeshtë, nga konferenca e Poznanit nuk pritet ndonjë përparim i madh. "Pritet të jetë më shumë një vlerësim i ciklit të parë (2015-2018), konkluzionet e të cilit mund të shërbejnë si orientim për qasjen e Komisionit të ri ndaj Ballkanit Perëndimor", thotë Hackaj.

Konferenca e Berlinit ishte paraparë të zgjaste vetëm katër vjet, nga 2014 në 2018. Por ajo do të vazhdojë për shkak të interesimit të madh që vjen nga poshtë, edhe pse mbështetja në nivelet e larta të politikës kohët e fundit nuk është aq e dukshme. Shkak është skepticizmi ndaj zgjerimit që sundon tek disa vende, sidomos Franca. Pak para Konferencës së Ballkanit Perëndimor, presidenti Emmanuel Macron, i cili vetë nuk do të marrë pjesë Konferencën e Poznanit,  theksoi se „do të luftonte që të mos kishte zgjerim të BE-së pa përfunduar konsolidimi i brendshëm".  


Për shkak të zgjidhjes së grindjes 30-vjeçare për çështjen e emrit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është aktualisht më i preferuari i Kancelares Merkel nga liderët e Ballkanit Perëndimor. Ai ishte i vetmi që Merkel priti në Berlin në prag të samitit të Berlinit.

Kancelarja gjermane do ta mbështesë  projektin e saj me forcë deri në fund të periudhës së saj në detyrë, thuhet nga qarqet qeveritare të Berlinit. Nëse ky angazhim do të vazhdojë edhe më pas, kjo nuk mund të thuhet me siguri.

Ardian  Hackaj thotë se Procesi i Berlinit është instrumenti më i rëndësishëm i BE-së për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt BE-së dhe për t'i përgatitur vendet kështu për zgjerimin, edhe nëse ky vonon:  "Tek e fundit, projektet e Procecist të Berlinit  janë prova e litmusit që tregojnë edhe se sa gati janë këto vende për anëtarësim në BE", përfundon Hackaj./DW/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan