Kërkesa e demokratëve u depozitua një javë më parë, duke pretenduar se nga marrëveshja i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 500 milionë euro.
Por në mbledhjen e sotme, Konferenca e Kryetarëve nuk ka marrë një vendim për kërkesën e opozitës, kjo pasi mazhoranca ka kërkuar që objekt i komisionit hetimor të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes së privatizimit.
Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PD, Edmond Spaho akuzoi mazhorancën se përdor truke për të penguar punën e opozitës.
"Mazhoranca vazhdon me praktikat e vjetra të kundërshtimit të iniciativave të opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare me argumentet që janë adresuar njëherë e mirë nga Gjykata Kushtetuese, si argument që paralelisht po heton edhe prokuroria për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014 në rastin e kërkesës për komision hetimor për serverin e tatimeve. Mazhoranca përdor truke duke propozuar që komisionit hetimor të propozuar nga ne t'i zgjerohet fusha e aktivitetit duke hetuar edhe marrëveshjen për privatizimin e CEZ dhe zbatimin e kësaj marrëveshje gjatë viteve që funksionoi privatizimi", u shpreh ai.
Spaho tha Kuvendi ka një mundësi të dytë të hënën që të votojë ngritjen e komisionit. Ai shtoi se opozita do të japë votën e saj.
"Është e drejta e mazhorancës ta kërkojë këtë komision, ne do ti japim edhe votat e opozitës që të ngrihet dhe mazhoranca të hetojë çdo gjë që ka për të hetuar. Ka pasur kohën në periudhën kur ishte në opozitë, por nuk e ka ngritur, por tani ka më shumë mundësi ta ngrejë, por me këto truke nuk mund të pengojë punën e opozitës për të hetuar zgjidhjen me mirëkuptim mes qeverisë shqiptare dhe CEZ. Nuk pati mirëkuptim nga mazhoranca për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe u la që të arrihet deri të enjten që të mund të konsultohen më mirë vendimet e gjykatës kushtetuese dhe të vinë me një mendim të ri të enjte", deklaroi Spaho.
Redaksia Online
Shqiptarja.com