Siç shikohet edhe nga këto foto, Shqipëria në këtë samit u përfaqësua nga ambasadori ynë në Turqi Genti Gazheli. Burime jo zyrtare sugjerojnë se ambasadori Gazheli ka mbajtur një fjalë në këtë samit.
Samiti miratoi një deklaratë me 23 pika, ku Jeruzalemi lindor njihet si kryeqytet i Palestinës. Vendimi vjen si kundërpërgjigje menjëherë pas njohjes së Jeruzalemit kryeqytet i Izraelit nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
Mbetet e paqartë se cili ka qenë qëndrimi i Shqipërisë dhe si ka votuar përfaqësuesi i saj në këtë samit dhe nëse ambasadori Gazheli e ka firmosur deklaratën.
Report TV iu drejtua Minisrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme për të pasur një qëndrim zyrtar, por deri në këto momente nuk kemi një përgjigje. Në deklaratën e këtij samiti dënohet vendimi i presidentit Trump për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem, ndërkohë që paralajmërohet se SHBA do të konsiderohet përgjegjëse për trazirat në rajon.
Gjithashtu, Uashingtoni ka humbur të drejtën për të qenë ndërmjetësues në procesin e paqes thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Mbretërit, Presidentët dhe drejtuesit e Qeverive të vendeve anëtare të Konferencës Islamike.
Në deklaratë u bëhet thirrje shteteve që të njohin shtetin e Palestinës. Që prej vitit 1988, 136 shtete nga 193 anëtarë të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Palestinës, por jo shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanadaja, Meksika, Kolumbia, Australia, Japonia, Koreja e Jugut, etj.




d.c./shqiptarja.com

VIDEO







