Konferenca/ Kreditë e këqija
Sejko: Ja dy shtyllat e aksionit

Konferenca/ Kreditë e këqija<br />Sejko: Ja dy shtyllat e aksionit
TIRANE- Aksioni i bashkërendimit për lehtësimin e sistemit bankar do të zhvillohet në dy shtylla: së pari përmes ndryshimeve ligjore që lehtësojnë ekzekutimin e kolateraleve nga bankat, dhe së dyti në ndryshimin e rregulloreve të Bankës së Shqipërisë në këtë kuadër.

Gjatë Konferencës Vjetore të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko ka adresuar çështjen e kredive të këqija në sistemin tonë bankar. “Shtylla e parë ka të bëjë me hartimin dhe plotësimin e legjislacionit që rregullon praktikën kredituese nga lidhja e kontratës deri në përfundim të saj, përfshirë dhe trajtimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”, tha Sejko.
 
Aksioni
Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë shpallur nisjen e një aksioni të përbashkët për uljen e kredive me probleme, i cili do përqendrohet veçanërisht drejt 35 kompanive të mëdha të cilat janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e huave të këqija në vend. “Kemi identifikuar disa rregullore ku do të ndërhyjmë.

Përveç objektivit për të krijuar një fleksibilitet më të lartë në lidhje me disa aspekte të veprimtarisë në trajtimin e portofolit të kredisë do të synojmë të adoptojmë një koncept të ri: atë të “biografisë” së klientit në raport me kredinë bankare. Ne besojmë se ky element i ri do të lehtësojë bankat në vlerësimin e potencialit kredimarrës të çdo klienti”, tha Sejko.
 
Kreditë e këqija
Sejko theksoi se kreditë me probleme u ulën për herë të parë në kuotën 20% pas një periudhe 7-vjeçare rritjeje të vazhdueshme, por, për të adresuar këtë problem në mënyrë të përhershme, nevojitet implementimi i masave të tjera shtesë. “Falë reformave që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti, kemi filluar të vjelim rezultatet e para pozitive për sa i takon situatës së kredisë me probleme.

Si rezultat, raporti i kredive me probleme është ulur për herë të parë pas një periudhe gati 7-vjeçare rritjeje të vazhdueshme. Procesi i pastrimit së kredive të humbura pa shpresë arkëtimi, e kam shpjeguar edhe më herët, ishte finalizim i një pune të përbashkët ndërinstitucionale”, theksoi Sejko.
 
Ekonomia
Duke u ndalur te zhvillimet ekonomike Sejko tha se aktiviteti në vend vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive, por ende jo aty ku do të donim të ishte. Kërkimet ekonomike të kryera në Bankë gjatë këtij viti vazhdojnë të konfirmojnë se ekonomia shqiptare ka potencial të papërdorur dhe se mbyllja e këtij hendeku ngelet sfida kryesore për politikëbërësit. Sipas tij, Sektori real po shfaq shenja të një përmirësimi të vazhdueshëm,  mbështetur edhe nga disa zhvillime pozitive në ambientin e jashtëm.

“Veçanërisht, dua të nënvizoj se qartësimi i situatës politiko-ekonomike në Greqi do të ndikojë pozitivisht gjatë periudhës në vijim. Banka e Shqipërisë ka monitoruar pa ndërprerje zhvillimet në fqinjin tonë jugor duke qenë e ndërgjegjshme për rreziqet e ndryshme që mund të përcilleshin në ekonominë vendase. Por falë edhe ndërhyrjeve të sakta dhe në kohë sidomos në sektorin bankar, këto rreziqe fatmirësisht nuk u materializuan”, tha Sejko.
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu