TIRANE- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar se reformat në sistemin gjyqësor nuk mund të kryhen sipas humorit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Deklarata është bërë gjatë takimit në Konferencën Kombëtare Gjyqësore, ku është diskutuar rreth reformave në drejtësi dhe fenomenit të korrupsionit. Gjatë diskutimit mes anëtarë të ftuar, është ngritur si problematikë, çështja e zvaritjeve të gjyqeve, mosbardhja e vendimeve gjyqësore, si dhe korrupsioni në gjykata.

Duke filluar nga kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço, të gjithë kanë pranuar në fjalimet e tyre se sistemi i gjykatave po gërryhet nga fenomeni i korrupsionit, por askush nuk hodhi idenë e krijimit të një plani bashkëpunimi për luftimin e këtij fenomeni.
Kryetarët pa mandat

Ministri Nasip Naço është shprehur se ka kërkuar dhe do të inkurajoj KLD, si “qeverisje“, që të eci sipas disa prioriteteve që shkojnë kah këtij orientimi. “Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përfundojë situata e papranueshme besoj edhe për ju, e kryetarëve të gjykatave që drejtojnë gjykatat pa mandat prej vitesh në kundërshtim me ligjin. Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përmbyllim procesin e emërimeve në Gjykatat Administrative përpara çdo emërimi tjetër të ngutur dhe jo në respekt të ligjit.

 Prej gjashtë muajsh kam kërkuar në KLD zbatimin e Dekretit Nr. 7818, datë 16.11.2012, të Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë, të Apelit dhe të Gjykatave Administrative, si dhe caktimin e kompetencave tokësorë dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative” për të dalë nga situata absurde dhe jo ligjore, e cila ka shkaktuar deri bllokimin e pagave të gjyqtarëve. Kam kërkuar dhe propozuar në KLD që të zgjidhej absurdi i mosemërimit prej dy vitesh i magjistratëve që kishin përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2011-2012.

 Kam kërkuar dhe inkurajuar, që lista e përhershme e renditjes së gjyqtarëve të jetë e disponueshme sikurse kërkon ligji si dhe të shërbejë si një kriter objektiv në promovimin e gjyqtarëve. Po në funksion të kritereve objektive të promovimit, kam kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve si një element mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim”,– tha ministri i Drejtësisë.

Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)