Konferenca për media e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

Në vazhdim të denoncimeve tona për vendimmarrjet skandaloze të gjyqtarit Arjan Aliaj, dola sot para jush pas vendimit të sotëm, të po këtij gjyqtari, për të lënë në “Arrest shtëpie” dy punonjës shumë të mirë dhe të përkushtuar të Policisë së Shtetit, Artion Duka e Entiol Xhelilaj, të cilët kanë kryer detyrën me përkushtim duke pasur një kontribut jo të vogël në forcimin e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, falë të cilave Policia shqiptare bashkë me partnerët ka korrur një sërë rezultatesh themelore për të ndërtuar marrëdhënien kyç që duhet ndërmjet agjencive ligj-zbatuese, luftën kundër kriminalitetit dhe veçanërisht terrorizmit.
Gjyqtari Arjan Aliaj ka vendosur masën “Arrest shtëpie” për oficerin Artion Duka me argumente skandaloze, të cilët nuk janë të denjë as për një student të juridikut, jo më për një gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.
 Ai shprehet se:
1. Oficeri Artion Duka ka miratuar programin e trajnimit që do të përdorej aparatura dhe ia ka paraqitur këtë program eprorit të tij për miratim.
2. Nuk është i interesuar për dokumentacionin shoqërues të aparaturës dhe as të regjimit doganor të saj.
3. Kishte detyrimin të evidentonte sjelljet ligjore të anëtarëve të palës tjetër italiane pavarësisht imunitetit të tyre. Ai shprehet qartë për mos-interesimin e tij në këtë drejtim.
4. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij pa kryer asnjë hulumtim se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparaturës nuk është kryer asnjë veprim i paligjshëm.
5. Nuk ka nxjerrë asnjë urdhër me shkrim, se cili anëtar i Policisë do të shoqërojë nga ana logjistike palën italiane për përkthim.  
Këto pesë argumente mbajnë sot në “Arrest shtëpie” një punonjës të Policisë së Shtetit, Artion Dukën, të cilat jo vetëm argumente për të mbajtur në “Arrest shtëpie” nuk janë, por janë qartazi një përpjekje mjaft e dështuar për të bërë një ‘qokë’ politike, për të bërë ‘qokën’ politike të radhës.
 
Pra, shtetasi Artion Duka:
paska miratuar programin e trajnimit;
nuk qenka interesuar për dokumentacionin doganor të aparaturës;
nuk paska hulumtuar nëse italianët kanë bërë ndonjë shkelje ligjore
dhe nuk paska përcaktuar përkthyesin për italianët. 
Këto janë shkeljet që sot mbajnë në “Arrest shtëpie” një oficer policie.
 Argumentet që mbajnë në “Arrest shtëpie” oficerin tjetër Entiol Xhelilaj janë akoma më qesharake. Dhe e tregojnë akoma më shumë dhunën politike që mban peng këtë gjyqtar të detyruar t’i shërbejë si i devotshëm pushtetit politik që e mbron nga mëkatet që ka bërë me çekiçin e tij.
Për shtetasin Entiol Xhelilaj thotë se:
Procedimi penal fillon që në ditën e parë kur automjeti i përgjimit, - thotë gjyqtari, është futur në Policinë e Shtetit. E para nuk ka asnjë automjet përgjimi. Kjo e provuar qoftë dhe nga hetimet e Prokurorisë deri më sot.
Unë nuk di më cilën kurajo gjyqtari ka shkruar në një vendim të zezën mbi të bardhë: mjeti i përgjimit.
Argumenti i dytë, sipas gjyqtarit është: “Oficeri Entiol Xhelilaj ka hyrë në marrëdhënie me grupin italian të trajnimit me qejfin e tij pa asnjë urdhër”.
Kjo është e shkruar nuk është as interpretimi i im, as përrallë e as shaka. Kjo është e shkruar me një vendim gjykate që mban në një “Arrest shtëpie” një oficer policie. E lexoj siç e ka shkruar gjyqtari që mban në një arrest shtëpie një oficer policie. Oficeri i policisë Xhelilaj ka hyrë në marrëdhënie me grupin italian të trajnimit me qejfin e tij pa asnjë urdhër. Dhe më pas vazhdon. Oficeri Xhelilaj ka dijeni për detaje kur ka hyrë automjeti në Durrës, ku rrinte automjeti gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohë. Ai është në dijeni se çfarë parametrash teknik ka automjeti dhe çfarë ushtrimesh janë kryer. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. 
Këto janë të vetme argumenta që mbajnë në arrest shtëpie një tjetër punonjës policie. Pra, që ka hyrë në marrëdhënie shoqërore me grupin italian të trajnimit me qejfin e tij dhe pa urdhër dhe se ka dijeni ku ka qëndruar automjeti dhe se ka qenë në dije se çfarë parametrash teknik ka pasur automjeti dhe sepse nuk ka pasur tagër ligjor të dijë kaq shumë dhe të ketë kaq shumë dijeni rreth fakteve.
As në kohën e komunizmit vendimet e gjykatave nuk ishin paçavure. As në kohën e komunizmit, gjyqtarët nuk ishin ushtarë kaq të bindur të pushtetit politik. As në kohën e komunizmit nuk mund të ndodhte që të mbetesh në arrest shtëpie pse ke hyrë në marrëdhënie shoqërore me partnerët italian pa e pasur këtë tagër ligjor.
Dhe po flasim këtu për një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues dhe sot ka marrë një vendim për të lënë në arrest shtëpie dy oficer policie me argumentat që sapo thashë. Këto janë argumentat më banale që mund të shpikeshin për të bërë qokën politike të radhës. Këto janë vendimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë shqiptare për të mbajtur në arrest shtëpie dy oficerë të Policisë së Shtetit, me të vetmin synim për t’i zënë sytë shqiptarëve nga rruga që kemi përpara për miratimin e Reformës në Drejtësi. Gjyqtarë të tillë qartazi janë  më e pakta analfabet, të pa arsimuar, të pa edukuar për të ndjekur kulturën e ligjit dhe sigurisht më normalja të kapur peng nga pushteti politik që i ka mbrojtur kur kanë liruar vrasës dhe përdhunues dhe sot i përdor për qokën e radhës politike.
Këto argumenta të parashtruara në Gjykatë janë prova më ë qartë e etheve që ka zënë frontin e të keqes, në këto institucione për t’i bërë pengese me sa të munden rrugës tonë për të miratuar Reformën në Drejtësi. Po këto argumenta janë një arsyetim më shumë, një arsye e fortë më shumë për ne për të ecur përpara në rrugën e miratimit të Reformës në Drejtësi, sepse gjyqtarë të tillë nuk janë të denjë për t’i shërbyer qytetarëve. Për sa kohë janë peng i të shkuarës së tyre kur kanë liruar vrasës dhe përdhunues dhe sot nuk janë më në gjendje të bëjnë detyrën veç se të qepin argumenta ordinerë të këtij tipi për të mbajtur në arrest shtëpie dy punonjës policie.
Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje duke denoncuar jo vetëm atë që ka shërbyer si pretekst për të hapur këtë çështje por mbi të gjitha për t’i shkuar deri në fund, deri në kockë, cilitdo që deri më sot në sistemin e drejtësisë është fryrë dhe majmur në kurriz të popullit duke mos dhënë drejtësi por duke bërë padrejtësi të fshehur në sqetullën e imunitetit politik që i ka mbrojtur sa herë kanë bërë mëkate. Kjo është një betejë që sapo ka filluar dhe këtë betejë do ta fitojnë shqiptarët. Këtë betejë do ta fitojë e drejta dhe e vërteta. Jo vesi, jo mashtrimi, jo korrupsioni, jo qokat politike.
Gazetari: Një pjesë e argumenteve të cilët ju përmendët janë hartuar nga prokuroria e cika ka hartuar çështjen a keni ju një koment për veprimet e prokurorisë dhe Kryeprokurorit Llalla në gjithë këtë histori, ju keni përmendur gjatë gjithë këtyre ditëve gjyqtarin Aliaj por nuk keni thënë asnjë koment për Kryeprokurorin Lalla dhe Prokurorin e çështjes të përfshirë në këtë histori?
Ministri Tahiri: Unë komentoj më të drejtë të gjithë ata që kanë gisht drejtpërdrejt me këtë histori dhe të gjithë ata që në Prokurori apo në Gjykatë kanë marrë përsipër të bëjnë një qok politike të tillë, duke lënë me masë shtrënguese dy punonjës policie “Arrest shtëpie” dhe gjithashtu me “Pezullim nga detyra” të Drejtorit të Policisë Shtetit. Për ne më shumë se emrat e përveçëm kanë rëndësi fenomenet që po ndodhin me kapjen e sistemit të drejtësisë dhe përdorimin e sistemit të drejtësisë për interesa qartazi politike nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të bëra çdo gjë që është e mundur për të mbajtur Shqipërinë dhe shqiptarët larg nga miratimi i Reformës në Drejtësi, ky është një sistem i tërë, një koorporatë e tërë, një front i tërë i së keqes që do të çmontuar dhe tronditur nga themelet, dhe këtu nuk kanë fare rëndësi emrat cili do emër që futet poshtë kësaj çatie do shembët bashkë me sistemin.
Gazetari: Po për gjyqëtaret që morën vendim z.Tahiri, për të lënë në fuqi  masën e arrestit?
Ministri Tahiri: Është pikërisht ky gjyqtar.
Gazetari: Fronti i së keqes përfshin edhe Prokurorin z.Tahiri?
Ministri Tahiri: U përgjigja            
Gazetari: Në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre kohëve partneret e Policisë së Shtetit qoftë ICITAP, PAMECA, forca që kanë asistuar policinë me mjete logjistike të gjitha formave, a keni një koment se si ka ndikuar kjo situatë në marrëdhënie më partnerët?
Ministri Tahiri: Marëdhënia jonë me partnerët do vazhdoj të forcohet dhe kjo nuk ka asnjë diskutim, partnerët e Policisë shqiptare kanë besim absolut dhe e fundit që kemi bërë dhe këtë e keni konfirmuar edhe ju vetë nga vizitat radhazi të Komisionerit të Sigurisë  Avramopoulos, të Ministrit italian, të Ministrit gjerman dhe të shumë partnerëve që kanë ardhur dhe publikisht kanë vlerësuar bashkëpunimin e Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit dhe terrorizmit, ashtu si raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit radhazi kanë theksuar përkushtimin e Policisë së Shtetit dhe përkushtimin e drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme në luftën kundër drogës, në luftën kundër kriminaliteti dhe në luftën kundër terrorizmit, partnerët tanë janë shumë të qartë për gjithçka që po ndodh këtu, partnerët ndërkombëtar janë shumë të qartë për gjithçka ndodh edhe për këtë çështje, asgjë nuk mundë të cënojnë bashkëpunimin që kemi me partnerët.
Brenda pak ditëve do të vijë avioni i Guardia di Financa, i cili do të fluturojë mbi Shqipëri për të fotografuar territorin tonë dhe për të evidentuar dhe më pas asgjësuar parcelat e drogës. Kjo është një sipërmarrje që ka lindur prej vitesh përpara se unë të bëhesha ministër dhe sot vazhdon ende.
Unë shpresoj që Fronti i së keqes të mos kujtohet të bllokojë dhe avionin me të njëjtin argument siç bllokuan edhe këtë mjet trajnues të ligjshëm të Policisë Italiane dhe policisë të shtetit Shqiptar. Ashtu siç besoj dhe jam shumë i bindur nga të gjitha kontaktet që kam pasur këto ditë me të gjithë partnerët ndërkombëtar në Shqipëri dhe rajon dhe partnerët ndërkombëtar në Bashkimin Europian që asistojnë Policinë e Shtetit se nuk ka asnjë lëkundje dhe asnjë tronditje të marrëdhënies së besimit që kemi ndërtuar me shumë mund gjatë këtyre dy viteve.
Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë pasi besojmë që rruga e vetme për të fituar bindshëm kundër kriminalitetit është rruga e luftës pas asnjë kompromis dhe bashkëpunimi me partnerët. Ne do të vazhdojmë të bëjmë shumë më mirë atë që kemi bërë deri më sot që është rindërtimi i një marrëdhënie besimi me partnerët ndërkombëtar që deri dje ndiheshin të tradhtuar nga drejtues të ministrisë dhe policisë.
Sot ne kemi kthyer një faqe historike në kuadër të bashkëpunimit me policitë e vendeve partnere. Kemi pasur një numër procedimesh të cilët, ata që drejtonin këtë ministri dhe Policinë e Shtetit në të kaluarën as nuk e imagjinonin sot. Ne do vijojmë të ndërtojmë gjithçka është e mundur për t’i bërë partnerët më të bindur dhe më të angazhuar në bashkëpunimin e Policisë shqiptare në luftën kundër kriminalitetit.
Ashtu si do vazhdojmë të luftojmë çdo pengesë korruptive të frontit të së keqes që përpiqet të ndalojë Reformën në Drejtësi duke ju bërë çadër, bunker dhe vend parkimi të gjithë atyre që deri dje kanë përfituar nga një sistem drejtësie i kalbur., të gjithë atyre që deri dje kanë gjetur në sistemin e drejtësisë një mundësi ligjore për të qenë të paprekshëm.
Ne duam të shembim përfundimisht murin e të paprekshmëve. Ne duam të reformojmë sistemin e drejtësisë dhe asgjë nuk do ndalë në këtë rrugë, jo më vendimet kaq banale të një gjyqtari që ka liruar vrasës dhe përdhunues dhe sot mban në arrest shtëpie oficerët e policisë me argumentin se kanë hyrë në marrëdhënie shoqërie me italianët pa e patur këtë tagër ligjor.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Shkopi metalik i Zyhdit të shpallet ‘Mjeshtër i madh’, është shkopi i ‘historianit’