Faleminderit për të dyja pyetjet sepse janë me rëndësi themelore. Në përgjigje të pyetjes së parë të them se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim marrim përsipër peshën e pashmangshme të mandatit plebishitar të 23 Qershorit dhe mosndarja e kësaj peshe në nivelin e parë me aleatë të tjerë është thjesht dhe vetëm marrja e plotë e përgjegjësisë. Sigurisht që ne kemi fituar si koalicion për Shqipërinë Europiane dhe do të qeverisim si koalicion. Koalicioni ka një bosht strategjik po ka edhe një numër aleatësh që ne i konsiderojmë njësoj të rëndësishëm pavarësisht madhësisë së tyre relative. Kështu që, me aleatët më të mëdhenj apo më të vegjël, jemi në një proces diskutimi dhe ju siguroj se do të ndajmë përgjegjësi por nuk do të ndajmë parcela. Do të ndajmë peshën e madhe të mirëqeverisjes, por nuk do të ndajmë drejtori për partitë; do të ndajmë së bashku rrugën e ndritur të betejës së madhe për një Rilindje Shqiptare, duke ecur më shpejt dhe duke lënë pas shumëçka e kaluara na mëson se e ka penguar Shqipërinë të jetë sot ajo që kanë merituar ata që në vitin 90’ e kërkuan si gjithë Europa.
E dyta, pyetje shumë e rëndësishme sepse e përsëris, procesi qeverisës do të jetë mbi dy shina, qeveria dhe grupi parlamentar dhe procesi ligjvënës do të jetë në këtë mandat dhe në mandatin që na ka dhënë populli jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndaj, edhe drejtimi i grupit, dhe organizimi i grupit PS-LSI dhe padyshim ndarja e detyrave në të gjitha komisionet parlamentare do të jetë po kaq e rëndësishme sa është edhe ndarja e detyrave në qeveri. Por, kjo do ti takojë momentit kur do të mblidhet grupi parlamentar dhe për këtë do të duhet të diskutojmë nga afër me grupin.
Zoti Rama, çfarë niveli përgjegjësie mendoni se do të ketë avokat Spartak Ngjela, njëri prej aleatëve tuaj?
Avokat Ngjela e ka marrë përgjegjësinë e tij kohë përpara ne të tjerëve, dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme pavarësisht nga pozicioni, edhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakord për pozicionin.
Kishit një marrëveshje zoti Rama përpara zgjedhjeve që ai do të merrte një post ministror. Kjo është pohuar edhe nga ana juaj publikisht por edhe nga ana e zotit Ngjela. Ku shkoi kjo marrëveshje?
Është e vërtetë. I është propozuar, e ka refuzuar në të drejtën dhe lartësinë e reputacionit të tij.
Zoti Rama, përse nuk u mbajt premtimi elektoral për një ministri të emigracionit?
Nuk di të kem bërë ndonjë premtim elektoral për një ministri të emigracionit, mbase e ngatërroni me partinë çame.
Në marrëveshjen që patët me partitë aleate, ju ishit shprehur që kishit rënë dakord që ato aleat që do të merrnin një mandat deputeti do të kishin të drejtën për t’u përfaqësuar në kabinetin qeveritar. Kemi zotin Dule dhe zotin Frroku që kanë marrë mandat por nuk janë në listën e gjatë të ministrave. Ndërkaq, pyetja e dytë është se cili do të jetë kriteri i vlerësimit të ministrave sipas secilës ministri dhe si do ti vlerësoni ju?
Besoj do të më lejoni që kriteret e vlerësimit të ministrave t’ua them përpara ministrave dhe pastaj ju. Ndërkohë që padyshim kriteri themelor mbetet ai që thashë: “me nder dhe me duar të pastra në shërbim të popullit shqiptar”. Për sa i përket pyetjes së parë dëshiroj t’ju siguroj se me Vangjel Dulen jemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë partnere në mirëqeverisje. Ashtu sikundër kemi hapur edhe një dialog me përfaqësuesin e partisë tjetër, zotin Frroku, por kemi çmuar se barra e mandatit të 23 Qershorit është një barrë që shqiptarët ja kanë dhënë Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim si një barrë për ta mbajtur së bashku dhe për ta çuar së bashku në destinacionin e Shqipërisë europiane. Mos ndarja e kësaj barre në nivelin e parë nuk është shpërfillje ndaj aleatëve, por është ndjenjë shumë e lartë përgjegjësie e jona dhe e imja si kryetar i kësaj mazhorance.
Kryetari i ri i opozitës dhe i Partisë Demokratike ka kërkuar transparencë për zgjedhjet. Tanimë që u formua qeveria a do të filloni të mendoni se kush do të jetë marrëdhënia e re me opozitën?
Ne kur ishim në opozitë kemi bërë një luftë madhore që t’i sigurojmë opozitës së sotme atë që opozita e djeshme nuk e pati pasi ja privoi qeveria e deri djeshme. Hap kutitë ka qenë deviza e luftës sonë dhe kutitë janë të hapura dhe të hapshme për transparencën e plotë, përmes atij komisioni hetimor parlamentar që ne e kërkuam asokohe dhe na u privua. Dua ta përsëris me këtë rast se asgjë që i është privuar opozitës së deri djeshme nuk do ti privohet opozitës së deri pasnesërme.
Pse i prezantuat sot një muaj përpara nisjes së Kuvendit, emrat e kabinetit të ri qeverisës? Gjatë harkut kohor deri në shtator me çfarë do të merren këta ministra?
Sepse është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkërisht për ato ndarje që duhen bërë të dikastereve ekzistuese dhe për punën që duhet bërë për të ndërtuar nga e para ato pjesë të punës që duhet të fillojnë nga e para. Ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara. Sigurisht që anomalia e madhe e krijuar nga një qeveri që ka ikur dhe akuzon qeverinë që s’ka ardhur që nuk po mban premtimet, ndërkohë që po bën rrush e kumbulla dhe atë pak rrush që ka mbetur në dorën e vet, e bën disi të papërshtatshme sot procesin e tranzicionit dhe shijen e këtij tranzicioni. Megjithatë, ne nuk e kemi zgjedhur qeverinë që vazhdon për inertësi por nuk e kanë zgjedhur as shqiptarët dhe njësoj si në një ëndërr të keqe që zgjatet, qeveria e ikur vazhdon t’u tregojë shqiptarëve se sa fort i ka merituar ato 1 milion shpulla që hëngri në 23 Qershor.
Zoti Rama, sot ju prezantuat kabinetin ndonëse ai nuk është votuar ende në parlament. Ndërkohë, kritikat më të mëdha ju i merrni përmes komenteve në rrjetin social Facebook nga ana e kryeministrit në detyrë. Zoti Berisha ju kritikon për premtime të pa mbajtura dhe mashtrime...
Unë nuk e lexoj kryeministrin në detyrë, që të jem shumë i sinqertë me ju, por sigurisht që dëgjoj që ka një akuzë të përditshme për premtime të pa mbajtura nga qeveria që nuk e ka marrë akoma detyrën. Kjo tregon që ata nuk kanë marrë akoma veten, ndërkohë që ne nuk kemi marrë akoma detyrën. Megjithatë, kjo është një çështje e tyre, unë di të them se ne nuk tërhiqemi nga asnjë prej premtimeve tona.
Një betejë e fortë e opozitës që ju drejtonit deri para pak javësh përpara se sa të fitonit zgjedhjet e 23 Qershorit, ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe denoncimi i këtij fenomeni për qeverisjen që është ende në detyrë. Cila do të jetë sjellja e kryeministrit Edi Rama pas momentit të votimit dhe marrjes së detyrës zyrtarisht nga parlamenti dhe betimi tek presidenti në lidhje me këtë fenomen, duke patur parasysh se qeverisja, qeveria, parcelat e qeverisë janë si një qyp mjalti që mund të tundojë gjithkënd?
E kam thënë dhe e përsëris, do ta përsëris pa pushim se lufta kundër korrupsionit është një luftë për modernizimin e shtetit. Sa më modern shteti, aq më i fortë në përballimin e tundimeve të korrupsionit. Nga ana tjetër, ministrat e qeverisë së re janë ballë për ballë me publikun, të zhveshur nga çdo lloj imuniteti dhe nga çdo lloj alibie. Do të duhet ta përballojnë sfidën e qeverisë së re në sektorin e tyre me punë, me rezultate dhe e përsëris me nder dhe duar të pastra në shërbim të publikut.
Do të doja t’u pyesja për kriteret me të cilat janë përzgjedhur ministrat. Shoh tek mbrojtja një ekonomiste apo tek industria një jurist për shembull....
Kur të gjeni një ekonomist aty ku shikoni një jurist në 20 vitet e fundit, mund të më kërkoni mua pse-në por ju siguroj se nga njëra anë kriteret e përzgjedhjes kanë qenë shumë të përcaktuara dhe po ta shikoni skuadrën kuptoni edhe kriteret mbi të cilat është ndërtuar dhe nga ana tjetër mos harroni kurrë e asnjëherë se nuk kemi një qeveri teknike por një qeveri politike. Ministrat, pavarësisht se lënë mandatin e deputetit janë njerëz që marrin përsipër drejtimin politik të institucionit. Po të nisemi me këtë pretendimin tuaj, atëherë as nuk ka pasur dhe ndoshta s’do ketë më piktor në krye të qeverisë së Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë që unë nuk do të jem kryeministri më i suksesshëm në historinë e qeverisjes në Shqipëri.
Një ditë më parë, kreu i opozitës z.Basha foli për ngritjen e një komisioni për mbrojtjen e administratës publike. Ai foli për atë çka ka ndodhur në zyrën tuaj me ardhjen e CV-ve nga qytetarët pas ftesës suaj publike. Si do të jetë administrata e qeverisë së majtë zoti Rama dhe së dyti cili do të jetë raporti me institucionet e pavarura pasi ka akuza nga zoti Basha edhe se po u bëhet presion institucioneve.
Unë kam marrë një angazhim që të ndryshojmë rrënjësisht modelin e qeverisjes dhe vijën e sjelljes me publikun dhe me opozitën. Nuk dua të filloj që sot nga komentet mbi komentet e opozitës, gjë që sigurisht do ta bëjmë brenda kufijve etik të mirë përcaktuar në të ardhmen. Mirëkuptoj gjendjen e knock out-it në të cilën është opozita dhe ka nevojë për kohë që të ngrihet në këmbë e të ulet për të bërë opozitë. Por, faleminderit për pyetjen se më jepni rastin t’i kthehem një nisme për të cilën nuk kam folur unë, kanë folur të tjerët, unë vetëm kam shkruar. Për çudinë time më të madhe, apo ndoshta për asnjë çudi në fakt duke patur parasysh se kush e kritikon, është kritikuar fort nisma për të hapur procesin e rekrutimit të burimeve njerëzore dhe për të krijuar një bazë kombëtare të dhënash për burimet njerëzore të Shqipërisë. Shqipëria është një vend i vogël dhe Shqipëria është një vend ku prindërit shpenzojnë shuma kolosale për të arsimuar fëmijët dhe ka një kapital njerëzor krejtësisht pa inventar. Vende shumë më të mëdha dinë deri dhe studentin e fundit ku e kanë, çfarë bën, si shkon me rezultatet dhe cila është karriera e tij. Një vend si i yni që duhet të kuptojë një orë e më parë se pasuria më e madhe e një populli dhe e një vendi, nuk është as nafta e as uji, as gazi, as mineralet, as deti apo çfarë do qoftë tjetër nga pasuritë materiale por është dija. E ka të domosdoshme që të inventarizojë kapitalin e vet njerëzor dhe e ka të domosdoshme që të ftojë burimet më të mira njerëzore që të marrin pjesë në procesin e administrimit të vendit. Deri sot këto janë bërë nga partitë dhe për partitë dhe askush nuk është skandalizuar. Dihet botërisht se si janë bërë në tetë vjet dhe kush i ka bërë, dihet edhe personi, një gjysmë analfabet që tundej si flamur dhe që emëronte njerëz e shkarkonte njerëz.
Mjafton të shikosh batërdinë që u bë pas largimit të LSI-së nga koalicioni për të kuptuar se me kë flasim dhe kush flet. Por kjo, përsëri është një çështje që e ka zgjidhur populli shqiptar në 23 Qershor. Ajo që unë dua të them është që ne nuk po mbledhim kurikulume tek partia për partinë, por po mbledhim të dhëna mbi burimet njerëzore të gatshme për t’u angazhuar. Këto burime njerëzore do të jenë baza e një baze të dhënash për gjithë kapitalin njerëzor të këtij vendi, që do të jetë pronë e qeverisë së Shqipërisë për gjithë kohën që vjen dhe jo vetëm për qeverinë tonë. Këto burime njerëzore dhe këto CV nuk merren për të futur njerëzit në punë, por merren për të pasur një proces transparent komunikimi me njerëzit kur ka vende të hapura pune. Pse të ashtuquajturat konkurse, se të tilla kanë qenë, duhet të jenë privilegj i vetëm atyre që kanë bllokun e emrave të vet, një flamur partie në një seli partie?! Dhe nuk duhet të jenë konkurse që të kenë dijeni të gjithë?! Ne duam që të gjithë ata që shprehin interes, të marrin dijeni për çdo konkurs që zhvillohet dhe ta marrin dijeninë drejtpërdrejtë. Kaq e thjeshtë është dhe nuk e kemi shpikur ne, ne vetëm marrim përsipër të sjellim në Shqipëri dhe të jetësojmë në Shqipëri praktikat më të mira.
Pak ditë më parë ju bëtë një takim me guvernatorin e Shqipërisë z.Fullani por edhe me drejtorë të bankave të nivelit të dytë. Ju propozuat në fakt ardhjen e një kompanie të huaj auditi për një hetim të thelluar të financave publike dhe një transparencë më të madhe. Pyetja ime ka të bëjë me faktin se përveçse do të harxhojë para publike çfarë avantazhi do të sjellë kjo kompani. Së dyti, i ka Shqipëria kapacitetet e duhura në nivelin e strukturave dhe ekspertëve për ta realizuar një gjë të tillë brenda Shqipërisë?
E para, Shqipëria nuk besoj se ka kapacitete analitike të kësaj natyre më të mëdha se Sllovakia që është një vend anëtar i Bashkimit Europian. E dyta, Shqipëria nuk besoj se ka luksin të vazhdojë të përjetojë një konflikt mbi shifra dhe fakte që duhet të kenë objektivitetin e analizës së një pale të tretë. Nëse Sllovakia, nga ku ne e kemi marrë këtë shembull, gjithmonë në vazhdën që do ta shihni të shkojë duke u zgjeruar, atë të marrjes së praktikave të mira të botës ku duam të integrohemi, i drejtohet auditit ndërkombëtar për të pasur një analizë të thellë dhe objektive për të dyja këto arsye, nuk shoh se përse nuk duhet ta bëjmë ne. Për sa i përket milionave që do të shpenzohen, janë shpenzuar shumë më tepër për të paguar kompani që janë angazhuar vetëm për të nxirë imazhin e opozitës dhe nga kjo nuk ka fituar Shqipëria por nuk fitoi as qeveria sepse populli shqiptar është më i mençur. Ndërkohë që çdo shpenzim që shkon në këtë drejtim është para e fituar, është një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen.
Premtimet elektorale të PS në fushatë kanë qenë shumë ambicioze. Si mund të bëhen këto premtime kur ju nuk e dini se cila është gjendja e financave dhe po kërkoni një auditim të huaj?
Me shumë dashamirësi, sepse tanimë nuk e kam më luksin e të qenit në opozitë, ku mund t’i bëja të fala atyre që propagandonin sukseset e pushtetit, dua t’u them se Televizioni Klan ka propaganduar dhe mbrojtur premtime shumë më të mëdha se tonat. Mos kini merak, të jeni e sigurt se premtimet tona janë të realizueshme dhe ne do t’i mbajmë ato duke ndarë me shqiptarët përgjegjësinë dhe duke ndarë me shqiptarët suksesin.
Faleminderit!