Konfirmimi i prokurores Eranda Laze ankimohet në Kolegj

Konfirmimi i prokurores Eranda Laze ankimohet në Kolegj

Eranda Laze

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të premten më 20 dhjetor se depozitoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, ankimin e fundit ndaj vendimeve të KPK, gjatë këtij mandati 7-vjeçar. Ankimi është depozituar kundër konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Eranda Laze dhe kërkohet shkarkimi i saj me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm. Komisioneri Florian Ballhysa, e ka bazuar ankimin në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, që më 6 dhjetor kërkoi paraqitjen e çështjes së prokurores Laze në Kolegj për shqyrtimin e problemeve të lidhura me pasurinë dhe etikën.

Gjatë seancës dëgjimore më 6 nëntor, Laze e kundërshtoi bilancin negativ të konstatuar gjatë hetimit administrativ paraprak në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Laze u konfirmua në detyrë dy ditë më vonë me votat e kryesueses së trupës së KPK, Pamela Qirko dhe anëtares Alma Faskaj, të cilat u bindën me shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej saj. Sipas shumicës, bilanci negativ mbetej në vlerën rreth 1.5 milionë lekë dhe nuk mund të sjelli penalizim.

Relatorja Xhensila Pine doli në pakicë duke çmuar se prokurorja Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81 mijë e 284 Euro dhe të një automjeti. Pine arsyetoi se pretendimet e prokurores Laze pas kalimit të barrës së provës se, burimi i krijimit të të ardhurave të deklaruara nga bashkëshorti nga emigracioni ishin edhe të ardhurat e familjarëve të tij po nga emigracioni, nuk mbështetej nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ.

Shkaqet për pasurinë

Bashkëshorti i subjektit ka deklaruar si burime krijimi për apartamentet në Tiranë kursimet nga emigracioni dhe nga aktiviteti privat dhe publik të ushtruar gjatë periudhës 2004-2008, si dhe një kredi. Shumica e KPK i ka vlerësuar bindëse shpjegimet e subjektit duke çmuar se ajo dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për pagesat e kryera.

Vlerësimi i KPK se bashkëshorti i subjektit gëzon statusin e personit të lidhur nga data e lidhjes së martesës ligjore, është gjetur nga Komisioneri i pambështetut në situatën faktike. Sipas Ballhysës, bashkëshorti prokurores Laze ka blerë një apartament në Vlorë, pasuri e cila referuar deklarimeve të vetë subjektit, është përdorur prej saj pa kompensim para martesës dhe gjatë ushtrimit të detyrës, konkretisht për periudhën shtator 2007 – korrik 2008.

“Lidhja e interesit të subjektit me bashkëshortin përpara martese, konfirmohet dhe nga subjekti gjatë hetimit administrativ, si dhe aksesi i subjektit të rivlerësimit në llogarinë bankare të bashkëshortit, përpara martese, në cilësinë e bashkëmbajtëses së llogarisë”, shprehet Komisioneri.

Ballhysa ka gjetur të pambështetura konkluzionet e KPK mbi burimet e ligjshme të pagesës së këstit të parë të apartamenteve në Tiranë në vitin 2009 në shumën 40 mijë euro. Pretendimet e subjektit mbi ekonominë e përbashkët familjare dhe mbulimin e shpenzimeve të jetesës të bashkëshortit nga familjarët e tij, që janë paraqitur gjatë hetimit administrativ, vlerësohen të pabazuara. Sipas Ballhysës, si burime të ligjshme duhet të konsiderohen vetëm ato të ardhura që provohen me dokumentacion justifikues.

Komisioneri vlerëson se edhe në përfundim të hetimit administrativ, Laze nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës për pagesën e këstit të parë të pasurive apartament banimi në Tiranë.

Po ashtu, në ankim kundërshtohet si i pabazuar dhe konkluzioni i KPK për momentin e pagesës së këstit të fundit prej 11 mijë e 284 eurosh. “…konkluzioni i Komisionit mbi shlyerjen e pagesës së këstit të fundit, në një periudhë të ndryshme nga ajo e dokumentuar në gjendjen që janë aktet, mbeten në nivel deklarativ e të pambështetura nga provat e administruara gjatë hetimit administrativ”, argumenton Ballhysa dhe shton se në këto kushte subjekti nuk ka provuar dot mundësinë e pagesës së këstit të fundit me burime të ligjshme.

Duke iu referuar edhe rekomandimit të ONM, Komisioneri konstaton se në përfundim të hetimit administrativ, prokurorja Eranda Laze nuk provoi të kundërtën e barrës së provës, duke rezultuar me mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e saj dhe të bashkëshortit.

Për dhurimin e një sipërfaqe toke prej 500 m2 në Vlorë në favor të bashkëshortit të subjektit, shumica ka konkluduar se akti është përpiluar me vullnetin e lirë të personave si për shkak të marrëdhënies me personin e saj të lidhur, ashtu dhe për ndihmën juridike që ai u ka dhënë. Sipas KPK, është vërtetuar se kjo provë nuk rrjedh nga kontrata e shërbimit për të cilën bashkëshorti do të kishte pasur detyrimin të paguante tatim.

Komisioneri Florian Ballhysa vlerëson se duket se përfundimi i arritur mbi këtë pasuri nuk është rezultat i një analize të plotë, në përputhje me provat e administruara dhe vlerën e tyre provuese. Sipas Komisionerit, referuar dokumentacionit të administuar dhe shpjegimeve të subjektit, mbetet e paqartë nëse marrëdhënia e bashkëshortit të subjektit me dhuruesit ka qenë shpërblim apo thjesht në kuadrin e mirënjohjes për dhënien e një asistence teknike ligjore.

Për një ndërtim pa leje të vjehrrit të subjektit, në proces legalizimi, KPK nuk ka gjetur indicie që të kenë lidhje me procesin e rivlerësimit. Komisioneri konstaton se nga aktet e administruara, ka rezultuar se në datën e firmosjes së deklaratës mbi procedurën e legalizimit, vjehrri i subjektit nuk ka qenë në Shqipëri, por në Itali, atje ku banon që pas viteve ’90. Ndërkohë, përgjatë vitit 2008, kur është deklaruar se është ngritur ndërtimi pa leje, nga të dhënat e sistemit TIMS ka rezultuar se ai ka qënë në Shqipëri për një periudhë 18 ditore.

Duke ju referuar fotove të ndërtimit të depozituara nga vetë subjekti pas kalimit të barrës së provës, Komisioneri vëren se duket se zona ku është ky ndërtim është e rrethuar nga një gardh me hyrje që përbëhet nga një sipërfaqe e konsiderueshme toke. Këto rrethana vlerësohen prej Ballhysës se e bëjnë kontradiktor deklarimin e subjektit mbi arsyen e ndërtimit të një garazhi.

Nga aktet e dorëzuara prej subjektit në funksion të verifikimit të kësaj çështjeje, është konstatuar se bashkëshorti i saj ka udhëtuar në vitin 2011 së bashku me një shtetase që ka qenë nën hetim nga prokuroria e Vlorës në lidhje me regjistrimin e një sipërfaqe trualli.

Ashtu si ONM dhe Komisioneri Publik konstaton se konkluzioni i Komisionit lidhur me këtë pasuri duket se nuk është i plotë dhe përmban elementë të mjaftueshëm për t’iu nënshtruar kontrollit në Kolegj.

Figura dhe profesionalizmi

Gjatë seancës dëgjimore, u konstatua se subjekti dhe bashkëshorti kishin udhëtuar me shtetasin A.M. dhe bashkëshorten e tij në vitin 2015. Bazuar në të dhënat e hetimit paraprak, Komisioni konstatoi se A.M. ka qenë i proceduar në vitin 2018 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, por në vijim i është përcjellë për kompetencë në prokurorinë e Vlorës. Dosja më vonë është pushuar. Ndërkohë, Prokuroria e Vlorës ka informuar dhe për një procedim penal të vitit 2012 për vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Pas shpjegimeve dhe provave të dorëzuara nga subjekti, KPK ka konkluduar se ajo e ka plotësuar saktë deklaratën për figurën, pasi edhe nëse ka pasur ose jo dijeni për atë procedim penal, emri i këtij individi nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në regjistrin e veprave penale e për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.

Komisioneri Publik konstaton se procedimi penal i vitit 2012 është regjistruar në Prokurorinë Vlorë dhe rezulton të jetë hetuar për një periudhë tre vjeçare, në të njëjtën prokurori ku subjekti ka ushtruar detyrën për më shumë se 10 vjet. Nga verifikimet e kryersa në sistemin TIMS ka rezultuar se prokurorja Laze, ka udhëtuar me këtë person dhe bashkëshorten e tij, rreth tre muaj pasi i është pushuar hetimi.

Ballhysa i konsideron jobindëse pretendimet e subjektit mbi këtë udhëtim, e cila ka shpjguar se bëhet fjalë për një udhëtim pune të bashkëshortit të saj. Të njëjtin qëndrim, Komisioneri mban dhe për pretendimin e subjektit për mungesë dijenie për zhvillimet e një procedimi penal ndaj atij shtetasi.

Sipas Komisionerit, pretendimet e subjektit duken si një përpjekje për të provuar të kundërtën e rrethanave të dala nga hetimi administrativ, por nga ana tjetër bien ndesh me nevojën për vëmendjen e shtuar lidhur me rrethin shoqëror që mund të frekuentojë një funksionare e lartë publike, pa cënuar perceptimin që përcjell në komunitet.

Faktet se bashkëshorti i Lazes ka udhëtuar në vijim me këtë shtetas dhe ka shërbyer si avokati i tij për një procedim të regjistruar në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, konsiderohen prej Ballhysës se përbëjnë rrethana që duhen vlerësuar në kuadër të dijenisë së subjektit dhe detyrimit ligjor për deklarim.

Lidhur me konkluzionin e KPK se ndaj këtij shtetasi nuk ka pasur procedim penal të regjistruar, Komisioneri vëren se duket që Komisioni të mos e ketë administruar dosjen në fjalë. Ndërkohë, evidentohet se subjekti ka paraqitur një shkresë të Prokurorisë së Vlorës, në të cilën thuhet se emri atij shtetasi nuk është i regjistruar si person nën hetim.

Komisioneri konstaton se edhe nëse rrethanat nuk janë të tilla që ky person të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm, duhej të ishin analizuar më së paku në kuadër të vlerësimit të etikës së subjektit të rivlerësimit dhe sjelljen që do të duhej të ishte e pranueshme për të pasur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Lidhur me vlerësimin e profesionalizmit, Lazes i është kërkuar në Komision të japë shpjegime mbi disa udhëtime dhe kontakte me persona të përfshirë ose të dyshuar si të përfshirë në në aktivitete kriminale.

Ballhysa vlerëson se rrethanat e rezultuara nga hetimi duhet të analizohen në drejtim të vlerësimit të etikës dhe angazhimit ndaj sjelljes profesionale. “…parë nga këndvështrimi i vlerësimit të veprimeve të magjistratit nga një vëzhgues i thjeshtë, kontaktet e drejtpërdrejta ose të tërthorta me persona të përfshirë ose të dyshuar se janë përfshirë (ose kanë qenë) në aktivitete kriminale, rrethanat këto të dala gjatë hetimit, duket se bien ndesh me perceptimin e përshtatshmërisë dhe kujdesit në sjellje në jetën private që pritet nga një magjistrat dhe ndikojnë negativisht në besimin e publikut tek gjyqësori”, konstaton Ballhysa dhe shton se i njëjti konstatim duket se gjen zbatim edhe lidhur me qasjen që ka subjekti në pranimin e mbulimit të shpenzimeve të udhëtimit të saj jashtë vendit nga klientët e bashkëshortit, në cilësinë e avokatit mbrojtës të tyre.

Në përfundim, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores Eranda Laze./BIRN

 

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg', reagon Rama: Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit

'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg', reagon Rama: Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit