Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë. Lajmi u konfirmua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, siç raportojnë mediat turke
Gjatë një dëshmie para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Rubio deklaroi se Trump do të jetë personalisht i pranishëm në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s.
Duke folur për rëndësinë e samitit, Rubio tha se takimi në Ankara mund të jetë “një nga më të rëndësishmit në historinë e NATO-s”.
Sipas tij, liderët do të diskutojnë çështje kyçe që lidhen me të ardhmen e aleancës, ndërsa në tryezë do të jenë edhe ndryshimet që, sipas administratës amerikane, NATO-ja duhet të ndërmarrë për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë.
“Ka disa gjëra që duhet të qartësohen dhe të korrigjohen”, u shpreh Rubio, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj NATO-s, por se aleanca ka nevojë për reforma në disa drejtime.
Kjo është hera e dytë që Turqia mirëpret një samit të NATO-s pas atij të Stambollit në vitin 2004.
Komente








