Një tjetër rast i fruthit është konfirmuar në vend. Bëhet fjalë për një fëmijë, i cili rezulton i pavaksinuar. Gjatë vitit 2025 në total janë konstatuar 18 raste me fruth, një numër më i ulët se ai i një viti më parë.

Fëmija tre vjeçar, i prekur nga fruthi, kishte lindur në Angli, dhe që prej një viti jeton në Shqipëri. Ai është diagnostikuar më 22 dhjetor, kur dhe është paraqitur edhe në spital me simptomat.

Ministria e Shëndetësisë e kontaktuar nga Report Tv tha se rasti është ndjekur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe se konsiderohet i izoluar. Deri më tani nuk ka të dhëna për fëmijë të tjerë të infektuar. Aktualisht, trevjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve në shërbimin e pediatrisë infektive.

Rasti është ngritur me shqetësim dhe nga deputeti socialist Erion Braçe i cili bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve.

“Po ndodh diçka me fëmijët që më duket shumë e rëndë. Po ndjek dy raste në pediatri. Të vështira prej 10 ditësh temperaturë e lartë dhe shqetësime shëndetësore të tjera. E dini çfarë mësova që njëri prej fëmijve ishte me fruth. Për këtë ka vaksinë. Ashtu edhe tjetri. Ndërkohë që mjeket që po i ndjekin thonë se edhe se janë vetëm 3 vjeç, një prej fëmijëve e ka mbyllur kalendarin e vaksinimit në 6 muajt e parë të jetës. Prindërit s’i kanë çuar më të ndjekur kalendarin e vaksinimit që 6 muajsh, fruthi luftohet përmes vaksinës”, shprehet ai.

Ky nuk është rasti i parë me fruth në vendin tonë. Nga janari deri më tani raportohen 18 raste, ndërsa një vit më parë ishin 24 të konfirmuar.

Një nga situatat më shqetësuese gjatë këtij viti ishte ajo e regjistruar në Fier, ku për shkak të mospërfilljes së vaksinimit, një kopësht u kthye në vatër infeksioni.

Sipas INSTAT, në vitin 2024 mbulimi vaksinal brenda vitit të parë të jetës ishte në nivele shumë të larta. 97–99% , për shumicën e vaksinave. Por për Fruth-Rubeolë-Parotit, vaksinimi ishte në kuota më të ulëta, me një mbulim në nivelet e 92%.