Konflikt me deputetët e “sigurisë”,
Nishani nxjerr në rezervë Ahmetajn

Konflikt me deputetët e “sigurisë”,<br />Nishani nxjerr në rezervë Ahmetajn
Gjenerali Piro Ahmetaj, i cili deri 22 shtator ka qenë këshilltar ushtarak i Presidentit të Republikës, është nxjerrë ne rezervë nga Bujar Nishani. Përmes dekretit 9293, me datë 26.10.2015, kreu i shtetit ka urdhëruar: “Gjeneral Brigade Piro Tasim Ahmetaj, të dalë në rezervë”.

Këto veprime vijnë pak kohë pasi Ahmetaj u përfshi në një sulm verbal ndaj deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

“Në Komisionin e Sigurisë gati gjysma e deputetëve janë ish­oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe pjesa tjetër mediokër për t’u mëshiruar. Ky komision do të hyjë në histori si komisioni i turpit, kriminelëve dhe perversëve”, shkruante Piro Ahmetaj në rrjetin social Facebook.

Më pas, kreu i këtij komisionit, Spartak Braho, me një letër drejtuar kryeministrit, kryetarit të kuvendit, dhe presidentit, kërkoi marrjen e masave disiplinore për këshilltarin e presidentit. Pak ditë më pas ai u dorëhoq nga kjo detyrë, teksa, më vonë ju drejtua kryeministrit, duke i kërkuar që të mos largohej nga forcat e armatosura, kërkesë kjo që me sa duket nuk është marrë në konsideratë.

Një tjetër nxjerrje në rezeve, e firmosur me dekret numër 9291, datë 26.10.2015. “Gjeneral Brigade Syrja Selim Gjoka, të dalë në rezervë”-thuhet në dekretin e Presidentit të Republikës. Syrja Gjoka nuk është një emër i panjohur për publikun. Ai mbahet mend për arrestimin e kryer nga Policia Ushtarake në Berat, pamje të cilat u ndanë me publikun në datën 16 maj 2014.

Ai u arrestua në vitin 2014 i akuzuar nga Prokuroria e Beratit për veprat penale “të shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” në kohën kur ka qenë ish­komandant i bazës ushtarake ajrore në Kuçovë. Më pas, Gjykata e Beratit ka shpallur të pafajshëm shtetasin Syrja Gjoka, me gradën gjeneral­brigade për këto akuza. Gjykata dha pafajësi, edhe pse në konkluzionet e saj Prokuroria e Beratit kërkoi shpalljen fajtor të tij dhe dënimin me 4 vjet e 6 muaj burgim.

Në momentin arrestimit, Kodheli e liroi atë nga detyra e drejtuesit të bazës ushtarake në Kuçovë. Nishani ka nxjerrë në rezervë edhe Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha, të cilin më parë e kishte graduar dhe emëruar po vetë. Në vitin 2012, me propozim të ministrit të mbrojtjes, Arben Imami, Nishani e emëroi Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxhën, Komandant i  Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, e po ashtu i dha dhe gradë madhore Gjeneral Brigade.

Presidenti i Republikës ka dekretuar dhe gjeneral Brigade Nazmi Cahanin, si “Komandant i Forcës Tokësore”. Më 21 korrik të këtij viti mori gradën “Gjeneral” nga Presidenti me propozim të ministres Mimi Kodheli. Po ashtu, gjeneral Brigade Qemal Demçe Shkurtit, me detyrë “Përfaqësues Ushtarak” në Përfaqësinë Ushtarake të Përhershme të Republikës së Shqipërisë në Nato, i jepet grada madhore “Gjeneral Major”.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë