Rreth një javë më parë, në zyrat e kompanisë “Finman shpk” është paraqitur Sokol Agalliu, një prej aksionerëve të kompanisë, i cili së fundmi ka pasur probleme me aksionerët e tjerë. Mes Agalliut dhe punonjëse të kompanisë ka pasur një konflikt verbal, i cili ka përfunduar me rrahjen nga vetë Agalliu të një juristi të kompanisë.

Për rastin, është bërë denoncim në polici, dhe pasi blutë kanë mbledhur provat në vendin e ngjarjes kanë arrestuar Sokol Agalliun, i cili pas 72 orësh është liruar me masë më të butë nga Gjykata Penale e Tiranës.

 Këtë të hënë, Agalliu është paraqitur sërish në kompani me pretendimin për të marrë pjesë në mbledhjen e bordit drejtues, por nuk është lejuar prej konflikteve që ata kanë pasur që më herët, që dyshohet për një vjedhje të brendshme në kompani.

Sipas burimeve pranë policisë, edhe këtë të hënë ka pasur tension mes tij dhe anëtarëve të tjerë të bordit, deri në konfrontim fizik të të dyja palëve. Policia ka kryer veprimet në vendngjarje, ka marrë dëshmitë e personave të përfshirë dhe po vijon hetimet deri në zbardhjen e plotë të konfliktit të sotëm.

Njoftimi i policisë

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, ku pretendohet se Policia nuk ka reaguar dhe ka hezituar të marrë kallëzim nga personi i dëmtuar gjatë një konflikti, sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me ligjin.

Më datë 28.05.2026, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasit S. A., 39 vjeç dhe I. I., 63 vjeç, ortakë me njëri-tjetrin në një kompani, pasi dyshohet se rreth orës 11:00, në ambientet e zyrave të kompanisë së tyre, në zonën  “Arena Center”, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Ndërkohë, sqarojmë se shtetasi S. A., 39 vjeç, më datë 19.05.2026, është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pasi në ambientet e zyrave të kompanisë së tyre, në zonën “Arena Center”, ka goditur për shkak të detyrës, shtetasin A. S., 41 vjeç, drejtues financash i kompanisë së tyre.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon dhe fton mediat që të konfirmojnë informacionet me strukturat e komunikimit në DVP-të dhe DPPSH, duke iu garantuar përgjigje të menjëhershme për çdo informacion, në funksion të së drejtës për informim.