Konflikti me armë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, liderët bëjnë thirrje për ndalim të luftimeve

Konflikti me armë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, liderët bëjnë thirrje për ndalim të luftimeve

Armeni

Liderët botërorë kanë bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Këto thirrje vijnë pasi pothuajse 100 ushtarë u vranë në luftimet në kufirin midis këtyre dy shteteve. Këto janë përleshjet më vdekjeprurëse që nga përfundimi i luftës së vitit 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha më 13 shtator se i janë vrarë 50 ushtarë, ndërkaq Armenia raportoi për të paktën 49 ushtarë të vrarë. Luftimet kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kombet e Bashkuara që t’u bëjnë thirrje të dyja shteteve që të ndalin luftimet.

Por, në orët e para të 14 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë akuzoi Azerbajxhanin se ka rinisur granatimet. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve që në mënyrë urgjente të ulin tensionet, teksa u kërkoi që të “tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të zgjidhin çështjet e hapura përmes dialogut dhe brenda formateve ekzistuese”, tha zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian, dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Zëdhënësi i tij, Ned Price, tha se Uashingtoni do të “shtyjë përpara ndaljen e menjëhershme të luftimeve dhe një zgjidhje paqësore” midis shteteve fqinje, ndërkaq diplomati veteran amerikan, Philip Reeker – që së fundmi është ngarkuar që të ndihmojë në nisjen e negociatave mes këtyre dy shteteve të Kaukazit – më 13 shtator qëndroi në Baku, por vizita e tij në kryeqytetin azerbajxhanas ishte planifikuar më herët.

Blinken i ka thënë Aliyevit dhe Pashinianit se konflikti “nuk është në interes të askujt” dhe u ka bërë thirrje palëve “që të bëjnë gjithçka të mundshme që të tërhiqen nga konflikti dhe t’u rikthehen bisedimeve për arritjen e një paqeje afatgjatë”.

Ndërkaq, zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se Franca do të ngrehë si çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përplasjet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Më 13 shtator, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po bën gjithçka për të ndihmuar në uljen e armiqësive.

“Presidenti po bën çdo përpjekje për të kontribuar në uljen e tensioneve në kufi. Këto përpjekje po vazhdojnë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Blinken po ashtu tha se roli i Moskës në procesin e paqes është “gjithmonë shqetësues”, por shtoi se “nëse Rusia vërtetë arrin të përdorë ndikimin e saj për të qetësuar ujërat... kjo do të ishte diçka pozitive”.

Qeveria armene më herët tha se do të aktivizojë marrëveshjen e bashkëpunimit me Moskën dhe i ka bërë apel për ndihmë Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – bllok rajonal i sigurisë i udhëhequr nga Rusia – dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Në CSTO bën pjesë Armenia, por jo edhe Azerbajxhani. Kjo organizatë zhvilloi një takim virtual më 13 shtator për të diskutuar lidhur me situatën.

Pas takimit, presidenca bjelloruse raportoi se sekretari i Përgjithshëm i CSTO-së mund të shkojë në zonën e konfliktit. Kjo vizitë është propozuar si një prej hapave që do të mund të ulnin menjëherë tensionet.

Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-së, Stanislav Zas, po ashtu do ta shfrytëzonte këtë vizitë për të përgatitur një raport. Një propozim tjetër ishte që të formohet një grup punues nga stafi i Sekretariatit të CSTO-s për të analizuar situatën dhe propozimet për të, u tha në deklaratën e kësaj organizate.

Më 13 shtator, Rusia tha se ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi, por Azerbajxhani akuzoi forcat etnike armene për shkelje të marrëveshjes. Armenia hodhi poshtë akuzat dhe fajësoi Azerbajxhanin për granatimin e pozicioneve të trupave etnike armene, por edhe të vendbanimeve dhe infrastrukturës.

Të dyja palët kanë zhvilluar një luftë 44-ditore më 2020 në të cilën u vranë mbi 6.500 persona. Luftimet u ndalën pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska, përmes së cilës Azerbajxhani fitoi kontrollin e të gjitha qarqeve përreth Nagorno-Karabakut, por edhe disa pjesë të territorit brenda vetë këtij rajoni të shkëputur.

Rreth 2.000 paqeruajtës rusë u vendosën në rajon për të mbikëqyrur marrëveshjen e armëpushimit./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:20
Armenia: 105 ushtarë kanë vdekur në përleshjet kundër Azerbajxhanit

1663183326_we.JPG

Më shumë se 100 ushtarë armenë janë vrarë në përleshjet kufitare me forcat ushtarake të Azerbajxhanit, prej të hënës, ka thënë kryeministri armen, Nikol Pashinyan. Azerbajxhani ka thënë se 50 trupa ushtarake të tij janë vrarë po ashtu në luftime. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e ri të konfliktit.

Përleshjet e reja, që kanë nisur në orët e vona të së hënës, janë pjesë e mosmarrëveshjeve të këtyre dy republikave të ish-Bashkimit Sovjetik për rajonin e Nagorno-Karabakut. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për paqe mes dy vendeve. Duke folur para Parlamentit të shtetit, Pashinyan ka thënë se 105 ushtarë armenë janë vrarë prej të hënës.

Ai ka akuzuar trupat azerbajxhanase për pushtim të 10 kilometrave katrorë të territorit armen këtë javë, dhe ka thënë se shteti i është kthyer Rusisë për kërkim të ndihmës ushtarake. Rusia njihet si aleate e Armenisë, ndërsa Turqia e Azerbajxhanit.Azerbajxhani hedh poshtë pretendimet e Armenisë për zhvillimet e kësaj jave, duke përfshirë raportimet se ka shtënë me armë kundër pajisjeve që u përkasin shërbimeve ruse të sigurisë (FSB), të cilat janë të stacionuara brenda Armenisë.

Autoritetet azerbajxhanase besojnë se Armenia ka nisur konfliktin duke bombarduar shënjestra ushtarake në distriktin Kalbaçar.

“Njësitet tona janë duke marrë veprimet e nevojshme”, ka thënë ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan, sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Një armëpushim i brishtë, i ndërmjetësuar të martën nga Rusia, ka dështuar të zbatohet dhe të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij. Për luftime është raportuar edhe në mbrëmjen e së mërkurës. Këto janë luftimet më të ashpra mes dy vendeve në dy vjetët e fundit.

Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë, janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut. Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6.000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit 2020. Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij, janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene./REL

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur