Konflikti me Qeverinë, CEZ
ankohet te Banka Botërore

Konflikti me Qeverinë, CEZ <br />ankohet te Banka Botërore
TIRANE - Investitorët çekë, që blenë 76 për qind të aksioneve të shoqërisë së vetme të shpërndarjes së energjisë elektrike në vendin tonë, kërcënojnë seriozisht se do të venë dorë mbi fondin e garancisë, të krijuar me vendim të Bankës Botërore, në vitin 2009, para se të hynte kontrata në fuqi, duke qenë se, sipas tyre, humbjet financiare janë të papërballueshme. Dhe kjo, sipas CEZ Group, pasi vendimet e Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri kanë qenë të njëanshme. Por, para kësaj, ata kanë kërkuar një ndërhyrje pranë Bankës Botërore.

ARSYETIMI
Letra, që publikohet nga CEZ Group, e që i është dërguar më 26 mars institucionit financiar ndërkombëtar, e fton këtë të fundit të ndërmarrë hapa të duhur për të parandaluar marrjen e fondit të garancisë, siç është rënë dakord në kontratën e privatizimit të të vetmit operator në këtë sektor, më 2009. Arsya kryesore për këtë veprim është, veç të tjerash, sipas CEZ-it, fakti që Enti Rregullator në Shqipëri ka vendosur të rritë për këtë vit 91 për qind tarifën e shitjes për energjinë e prodhuar nga kompania me pronar shtetin, që ka monopolin si furnizues për CEZ Shpërndarje. Ndërkohë, Enti Rregullator nuk e pasqyroi këtë rritje tarifore në asnjë lloj mënyre në çmimin për konsumatorin, duke e ngarkuar me një barrë të rëndë kompaninë tonë.
Që nga janari 2012, CEZ Shpërndarje po pëson humbje, që shtohen çdo ditë e më shumë, shtohet në letër.

NEGOCIATAT
Më tej, në të vihet në dukje se, pas javë të tëra negociatash, u arrit një marrëveshje midis CEZ Shpërndarjes dhe qeverisë shqiptare për të likuiduar nga të dy drejtimet pagesat e prapambetura, pra ato që CEZ u detyrohet institucioneve qeveritare dhe qeverisë dhe anasjelltas. Zbatimi i marrëveshjes u kushtëzua me një kërkesë që mbajtësi i shumicës së aksioneve të CEZ Shpërndarjes të investonte fonde shtesë në kompani, duke përfituar në shkëmbim rishikimin e vendimit të tarifave. Për fat të keq, asnjë kusht i pranueshëm rregullator nuk është vendosur, në mënyrë që të siguronte kthimin e investimeve të kryera. Kështu, CEZ Shpërndarje po shkon drejt vënies dorë mbi garancinë, e caktuar nga Banka Botërore, në rast se qeveria shqiptare nuk do të respektonte detyrimet e saj rregullatore, për të cilat është angazhuar kur operatori i vetëm i shpërndarjes së energjisë elektrike në vend u privatizua, në vitin 2009.

NDËRHYRJA
CEZ Shpërndarje i ka dërguar një letër Bankës Botërore, duke e vënë në dijeni të situatës së krijuar dhe duke ftuar zyrtarët e saj që të marrin masa në mënyrë që të mos arrihet deri në tërheqjen e garancisë me vlerë 60 milionë euro. Në të njejtën kohë, drejtuesit e CEZ Shpërndarje kanë qenë të detyruar për të reaguar ndaj kësaj situate, të krijuar si pasojë e vendimeve të marra nga Enti Rregullator, duke njoftuar autoritetet shqiptare dhe furnitorët e saj lidhur me vështirësitë financiare, me të cilat po përballet.

DETYRIMET
Ka disa mekanizma rikuperimi, që CEZ mund të përdorë në rastin e kompanisë shqiptare të shpërndarjes. CEZ-i apo kompania e saj shqiptare e shpërndarjes mund të kërkojë nga qeveria shqiptare kompensimin e të gjitha humbjeve dhe dëmeve, që janë shkaktuar si pasojë e rritjes së tarifave nga ana e Entit Rregullator. Sidoqoftë, një pjesë e kompensimit të mundshëm është e siguruar nga garancia e vendosur prej Bankës Botërore. Në rast se situata nuk zgjidhet në ditët që pasojnë, garancia e Bankës Botërore mund të merret dhe të përdoren mekanizma të tjerë rikuperimi, kërcënojnë drejtuesit e CEZ-it.
CEZ nuk është e lumtur nga hapat që janë ndërmarrë, megjithatë ajo ka detyrimin që të mbrojë vlerat e kompanisë për investitorët dhe aksionerët e saj. Paralelisht me këto hapa, CEZ Shpërndarje ka vijuar negociatat me autoritetet shqiptare dhe shpreson të gjejë një zgjidhje miqësore, informon letra.

(gk/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar