Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet aleate të Gjirit Persik që të përgatiten për një valë të mundshme të re sulmesh kundër Iranit, që mund të nisë që më 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Lajmi bëhet i ditur nga MS Now, që citon tre zyrtarë të lartë të vendeve arabe të Gjirit, të cilët kanë dijeni për diskutimet, siç raporton Al Jazeera. Sipas burimeve, sulmet pritet të jenë jetëshkurtra, por veçanërisht intensive.
Vendet e Gjirit thuhet se po ushtrojnë presion ndaj Uashingtonit për të ulur tensionet, nga frika e hakmarrjes së mundshme iraniane.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulme ndaj Iranit që prej 1 shtatorit, ndërsa presidenti Donald Trump është zotuar se nuk do të ndërmarrë operacione të reja ushtarake përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, ajatollahu Mojtaba Khamenei, ka urdhëruar drejtuesit e lartë të forcave të armatosura të garantojnë një «përgjigje të menjëhershme dhe efektive, pa kufizime gjeografike», ndaj çdo kërcënimi të mundshëm nga armiku.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA, e cila raporton mbi udhëzimet e dhëna nga Khamenei gjatë një takimi me komandantët ushtarakë.
Udhëheqësi Suprem ka renditur ndër kërkesat për arritjen e «parandalimit maksimal» edhe nevojën për të garantuar një «gatishmëri inteligjente luftarake për një përballje të fuqishme me armiqtë».
Irna raporton se Khamenei kërkoi gjithashtu forcimin e strukturës informative ushtarake iraniane, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë përmes përdorimit të teknologjive të reja. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të doktrinave dhe taktikave të pavarura të mbrojtjes.
lajm ne perditesim...






Komente
Komento