UEFA ka njoftuar se 'Finalissima' mes Spanjës dhe Argjentinës në futboll, nuk do të luhet. Ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej më 27 mars në stadiumin 'Lusail' të Katarit, por për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme duhej gjetur një stadium i ri.
Federata Argjentinase e Futbollit nuk u dakordësua që ndeshja të zhvillohej në 'Bernabeu' të Madridit, pasi dëshironte një stadium neutral, ndërsa as pistat e Romës apo Milanos nuk u konkretizuan.
Në të tilla kushte UEFA njoftoi 'me zhgënjim të madh' këtë të dielë se ndeshja finale nuk mund të zhvillohej, duke e anuluar.
UEFA sqaron se propozimi i parë që ndeshja të zhvillohej në 'Bernabeu' me 50 përqind të kapacitetit të stadiumit u refuzua nga Argjentina. Mundësia e dytë ishte që ndeshja të luhej me sistemin vajtje-ardhje, më 27 mars në Madrid dhe ndeshja tjetër në Buenos Aires. Edhe kjo mundësi u hodh poshtë.
UEFA i kërkoi më pas Federatës Argjentinase të Futbollit që të gjente një stadium për më 27 mars, ose për datën alternative 31 mars, por as kjo nuk u mundësua. Në të tilla kushte UEFA njoftoi 'me trishim' se kjo finale u anulua.
'Finalissima' luhet mes kampionëve të Europës dhe atyre të Amerikës Latine, por këtë vit gjithçka është anuluar.
Komente












