KONGO- Misioni i OKB-së në Republikën Demokratike të Kongos ka shpëtuar 82 fëmijë, disa prej tyre të moshës 8 vjeç, nga “kthetrat” e një grupi të armatosur.
 
Fëmijët, përfshirë 13 vajza, ishin rekrutuar me forcë në gjashtë muajt e fundit nga grupi militant Mai Katanga.
 
Grupi është aktiv në provincën Katanga në jug-lindje të vendit. Fëmijët përdoreshin si roje, informatorë, luftëtarë dhe në disa raste edhe si mburoja njerëzore.
 
Dyzet prej fëmijëve të shpëtuar janë ribashkuar me familjet e tyre dhe të tjerët janë nën kujdesin e UNICEF-it.
 
Monusco, Misioni i OKB-së në Repubblikën e Kongos, tha në një deklaratë se “jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga raportet e vazhdueshme të rekrutimit nga ana e grupeve të armatosura”.
 
"Fëmijët përballen me rreziqe të papranueshme, kur ata janë duke u rekrutuar për qëllime ushtarake”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
 
Sipas ligjeve rekrutimi i fëmijëve, veçanërisht ato nën moshën 15-vjeçare, përbën një krim lufte dhe ata që janë përgjegjës duhet të ndiqen penalisht.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)