Kongresi Antifashist/ Çam Ngjarja e pazakontë e 1945 përmes dokumenteve

Kongresi Antifashist/ Çam Ngjarja e pazakontë e 1945 përmes dokumenteve

Kongresi anti-fashist çam

KONGRESI ANTIFASHIST ÇAM. Ky është titulli i librit, që është botuar ditët e fundit, frut i punës së palodhur të Hektor Sejkos, që siç shkruan në parathënien e tij Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, është:"Bir i një familje të shquar patriotike, që i dha personalitete e gjithashtu viktima të shumta, luftrave të shqiptarëve të Çamërisë, për liri e demokraci".

Hektor Sejko, prej dekadash ka kërkuar dokumente në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në Atrkivit e Shtetit, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme etj. për të parët e familjes së tij, fatin tragjik të tyre e veçmas atë të babait të tij, Taho Sejko. Materialet, që përfshihen në librin "Kongresi Antifashist Çam", janë mbledhur dhe përgatitur për botim nga Hektor Sejko. Libri është botuar nën kujdesin e Shoqatës Patriotike "Çamëria" dhe ndihmës financiare të Dritan Sejkos. Koordinator i botimit është Niazi Saliko. Këtij botimi ia rrit vlerat jo vetëm konsulenca shkencore e Prof. Dr. Pëllumb Xhufit, por edhe parathënia e shkruar prej tij.

Libri "Kongresi Antifashist Çam", vjen për lexuesin shqiptar në kohën dhe momentin e duhur. Ai ka peshën e rëndë të kujtesës historike çame, nga më dramatiket dhe tragjiket e Shqipërisë, peshën e dhimbjes, si dhe atë të krenarisë e veçanërisht atë të amaneteve të brezit të luftëtarëve antifashistë çamë, që në një nga momentet më të rënda të Çamërisë e ringritën atë para ndërkombëtarëve, duke e bërë të prekshme,

Çështjen Çame dhe kërkuar rikthimin e çamëve në tokat e të parëve të tyre. Ky libër, na bën të reflektojmë dhe nderojmë me respekt kujtimin e organizatorëve të këtij kongresi në qytetin e Vlorës, në shtatorin e vitit 1945, delegatët dhe punën e palodhur të Këshillit Antifashist Çam dhe Komitetit Antifashist Çam. Ai, me mesazhet që përcjell, na sjell pas 73 vitesh zëra idealesh dhe idealistësh të kulluar çamë, që bëjnë thirrje për bashkim, për përkushtim për Çështjen Çame, për hapa të menduar mirë, për mënçuri, kulturë, dinjitet e mbi të gjitha, për idealizëm dhe vetëm idealizëm, deri në shenjtëri, për shenjtërinë e kauzës sonë.

Nëse do të lexoni me vëmendje dokumentet e përfshira në këtë libër dhe do të rikthehemi në kohë, pra 73 vite më parë, të lind pyetja: si ka mundësi, që në ato kushte të vështira të pasluftës, në një Shqipëri të rrënuar, me fshatra e qytete të shkatërruara e me mijra viktima, si dhe mijra refugjatëve çamë, që luftonin me jetën, të organizohej ky kongres?

Dhe është një organizim i shkëlqyer, duke e menduar çdo gjë deri në detaje, si për vendin, delegatët që do të merrnin pjesë, të ftuarit, veçmas ata të misioneve të huaja, amerikanë, anglezë, sovjetikë, gazetarët, presidiumi, mbajtja e procesverbalit, përshëndetjet e të ftuarve etj.etj. Organizatorët janë të kujdesshëm, që delegatët të përfaqësojnë të gjitha qytetet apo kazatë e Çamërisë, për të mos krijuar keqkuptime, apo hatërmbetje. Numrin më të madh të delegatëve e përbëjnë pjesëmarrësit aktivë të Luftës Antifashiste, të formacioneve partizane të këtej dhe andej kufirit. Ka dhe delegatë nacionalistë, anëtarë të Këshillit Krahinor Çam, që u ideua dhe realizua nga vëllezërit Dino, Nuri dhe Masar Dino, siç janë Hizër Ahmeti, Muhamet Mala apo ndonjë tjetër.

Delegatët janë të grupmoshave dhe niveleve të ndryshme arsimore, që nga Musa Demi, që vinte në Kongres me kontribute në disa periudha të rëndësishme të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes Kombëtare, Lëvizja për Pavarësi e shkollën shqipe, apo Lufta Antifashiste. Delegatë të tjerë janë të arsimuar në shkollat më të mira të Parisit, Romës, Athinës, Moskës, apo në Shqipëri, si: Taho Sejko, Kasem Demi, Veip Demi, Njazi Demi, Rexhep Çami, Veis Sejko, Tahir Demi etj.

Siç dihet, dokumenti është i ftohtë, me të dhëna për ngjarjen dhe kur e lexon, ndodh rëndom, që të mos kesh emocion. Ndryshe janë dokumentet e përmbledhura në këtë libër, apo referati kryesor i mbajtur nga Veip Demi, veçanërisht kapitulli "Shënime rreth referateve dhe diskutimeve, që u zhvilluasn në Kongresin e çamërve".

Në të mungon euforia, patetizmi fals. Përfaqësuesit e Komunitetit Çam flasin me përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e Çamërisë. Idealistë në shpirt, larg çdo pragmatizmi, të shkolluar e të kulturuar, në këtë kongres ata japin imazhin e çamëve, siç do të shkruante vite më vonë Ismail Kadare: "...të një popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit".

Kjo na bën nder ne pasardhësve të tyre dhe është vlerë e patjetërsueshme e Çamërisë. Kongresistët shpalosin dhimbjen e madhe, japin fakte tronditëse për atë ç'ka ndodhur në Çamëri, shqetësohen për gjëndjen e emigrantëve çamë në zona të ndryshme të Shqipërisë, ankohen për strehimin dhe ushqimin e tyre, propozojnë ngritjen e një konvikti për fëmijët jetimë çamë. Të tjerë shprehin mirënjohje për Shqipërinë e varfër e për shqiptarët, për bujarinë e tyre, që hapën portat e zemrave e shtëpive të tyre. Kjo mirënjohje është trashëguar nga brezi në brez tek çamët deri në ditët tona.

 Ky libër është dëshmi e Antifazhizmit Çam, pjesëmarrjes aktive të bijve të saj në rezistencën aktive antifashiste, këtej e andej kufirit. Antifashizmi Çam është i një dimensioni të rëndësishëm dhe i bën nder Çamërisë, me pjesëmarrjen në rradhët e formacioneve të ELLAS-it në Epir.

Në dokumentet e këtij libri, jepen dëshmi për batalionin "Ali Demi", si pjesë e Regjimentit XV të ushtrisë partizane greke, për betejën e Mallunit, rënien heroike të Muharrem Myrtezait, Ibrahim Hallunit, Huso Vejselit, apo betejat në Pleshavicë, Filat, Smarte, Lopës, Koskë e në shumë vise të Epirit. Shifra prej 500 luftëtarësh çamë në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare Greke është kontribut i kësaj popullsie, në luftën e përbashkët kundër murtajës fashiste. Më vjen mirë, që historiani grek, Jorgo Margariti, në librin "Bashkëpatriotë të padëshiruar", botuar në gjuhën shqipe në vitin 2009, jep të dhëna të plota për rezistencën antifashiste në Çamëri.

 Libri "Kongresi Antifashist Çam", është dëshmi e krimit, genocidit të bandave të Napoleon Zervës, ndaj popullsisë së pafajshme çame. Në referatin kryesor, diskutimet e delegatëve, veçmas dy kapitujt e fundit, japin të dhëna rrënqethëse, makabre e të pashembullta, që të trondisin. Opinioni grek duhet të njihet me to dhe politikanët e sotëm vizionarë e të rinj, që drejtojnë Greqinë mike, në një farë kuptimi të jenë më realistë dhe me këmbë në tokë, për zgjidhjen e një çështje të drejtë e humane. Çamët e grekët duhet të shohin nga e ardhmja dhe ky libër i jep këto mesazhe. 

Në këtë libër, janë përjetësuar disa emra intelektualësh çamë e jo çamë, vargu i të cilëve është i gjatë e disa prej tyre i përmenda më lart, si Taho Sejko, Rexhep Çami, Vehip, Njazi e Kasem Demi e mbi të gjitha Musa Demi, Rexhep Çami, apo Veiz Sejko, studiues brilant, autor i një vepre unikale në llojin e vet, siç është ajo për eposin tonë dhe krahasimit me atë sllav. Do përmendja dhe emra të tillë si Qamil Buxheli nga Pandelejmoni, një nga shqiptarët tanë më të mirë, Gjergj Komnino, autor i disa poezive tragjike, për Paramithinë, Sanije Bollati etj.etj. Me të drejtë Prof. Pëllumb Xhufi, në parathënien e këtij libri, shkruan:

"Dokumentet e botuara në këtë vëllim flasin për presionin e ushtruar nga Komiteti Antifashist Çam mbi aleatët anglo-amerikanë, mbi organizatën e UNRAS, por edhe mbi vetë Qeverinë e Tiranës... Por akoma më i rëndësishëm rezulton nga dokumentet e botuara në këtë vëllim, aktiviteti intensiv i këtij Komiteti, në prezantimin e mençur dhe mbrëlënës të Problemit Çam, jo vetëm tek misionet e aleatëve në Tiranë, por edhe drejtpërdrejt në qeveritë dhe parlamentet e tyre..." Ky libër, prandaj është aktual, bindës dhe mësim për politikën shqiptare, por veçanërisht për faktorin politik çam.

 Asnjë traktat, dekret, apo marrëveshje nuk mund të mohojë ose ndalojë emrin Çamëri, apo të na bëjë të harrojmë mitet, eposin, baladat, epikën dhe lirikën tonë, vallet aq të bukura. Askush nuk mund të na ndalojë të harrojmë Çamërinë, si lëndë e si shpirt. Jetojmë në kohën e globalizmit, të një fryme tjetër në marrëdhëniet mes popujve, si dhe të një Ballkani që duhet të çlirohet përgjithmonë nga ankthet e së kaluarës.

Libri "Kongresi Antifashist Çam", me dokumentet që përmban është një dëshmi jo e largët e kontributit të çamëve në Luftën Antifashiste, bashkë me grekët, si dhe i genocidit të forcave ultranacionaliste, të ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme çame. Ai është edhe një gur themeli për marrëdhëniet e çimentuara mes çamëve dhe grekëve në Luftën e përbashkët Antifashiste.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë