Në një seancë dëgjimore mbrëmjen e së martës në Kongresin amerikan, republikani Keith Self ngriti si shqetësim çështjet e prapambetura në sistemin gjyqësor në Shqipëri, të cilat janë shkaku kryesor për zgjatjen e kohës së dhënies së vendimeve përfundimtare për qytetarët. Self foli me shifra për të pasqyruar gjendjen të cilën e cilëson si alarmante.
Self tha se është shqetësuese fakti që numri i çështjeve të prapambetura në nivel kombëtar është zgjeruar nga afërsisht 16,000 çështje në fillim të reformës në rreth 200,000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar.
"Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatimi, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç ishte menduar dhe nëse po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar. Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë fakti që numri i çështjeve të prapambetura në nivel kombëtar është zgjeruar nga afërsisht 16,000 çështje në fillim të reformës në rreth 200,000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesa të tilla dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor." tha Self gjatë fjalës së tij referuar Shqipërisë.
Seanca dëgjimore e së martës, kishte si synim një raportim në shkallë më të gjerë për të gjithë rajonin e Ballkanit. Self foli për pikat e brishta për secilin shtet, të cilin e quajti si rajonin me më pak stabilitet në Evropë. Republikani Self tha gjatë fjalës së tij se SHBA, po vijojnë përpjekjet për të promovuar ekuilibrin në këtë rajon, prosperitetin për qytetarët e tij dhe parandalimin e konflikteve të ardhshme.
Komente











