Reshjet e shumta të ditëve të fundit po pasohen edhe me rrëshqitje dherash. Në zonën jugore të vendit, në fshatin Janjar të Konispolit si pasojë e rrëshkitjes së tokës është rrëzuar një shtëpi ndërkohë që rrezikohen edhe tre të tjera.

Banorët e këtij fshati ankohen se deri tani askush nuk ka shkuar për të parë situatë në të cilën ndodhen ata. Sipas tyre kërkesat janë bërë vazhdimisht, por deri tani nuk është parë asnjë specialist vlerësimi për dëmet e shkaktuara.

“Këtë katastrofë e bëri natyra. Ne nuk i kërkojmë qeverisë lekë, por garanci që të jetojmë. Nuk rrimë dot më në shtëpi me këtë rrëshqitje dheu. Nuk ka siguri” , thonë banorët.

Banorët tregojnë tmerrin të cilin po kalojnë këto ditë, pasi gjatë gjithë kohës ka lëvizje të tokës e cila po shkatërron shtëpitë e tyre, muret e shtëpive janë tërësisht të hapur, ndërkohë që frika sa vjen e shtohet.

 “Na ka rrëzuar një pjesë të shtëpisë, e ka bërë tokën presa-presa. Po flemë jashtë, të vërë dorë qeveria”, u shprehën banorët.

Banorët e fshatit Janjar thonë se kanë qenë me fat që shtëpitë nuk i kanë zënë poshtë. Ata shprehen se e kanë kontaktuar kryeplakun e fshatit, por ky i fundit nuk ka denjuar të shkojë për të parë problemet që u janë shkaktuar. Frika më e madhe e tyre është për ditët në vijim pasi nuk e dinë se sa mund të vazhdojë lëvizja e dherave që mund të shkatërrojë shtëpitë e tyre.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com