TIRANË - Është mbyllur dje në mbrëmje me një ceremoni gala edicioni i tretë i konkursit mbarëkombëtar për profesionistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ICT Awards me përzgjedhjen e fituesve në 7 kategori të ndryshme.

Evenimenti u mbajt në javën e inovacionit, e cila ka si objektiv promovimin e risive teknologjike në të gjithë sektorët e shoqërisë. E pranishme në këtë aktivitet Ministrja e Inovacionit Milena Harito shprehu kënaqësinë për arritjet në fushën e teknologjisë së informacionit nga të rinjtë shqiptarë.

Ndërsa Zv/Ministria e Mirëqënies dhe Punës të Republikës së Kosovës, Rita Hajzeraj pranoi se as qeveria e Shqipërisë dhe as ajo e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet për të mbështetur profesionistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Një prej organizatorëve të këtij konkursi Ardian Aliaj shpjegoi se si ICT Awards ka mbështetur gjatë këtyre viteve shumë të rinj në fushën e teknologjisë së informacionit.
Sa i përket fituesve, çmimi Inovacioni i vitit i shkoi Mërgim Cahanit nga Kosova për platformën e tij të kërkimit të websajteve shqiptare.

Ndërsa çmimi i mobilitetit i shkoi Bledar Bregut për ‘Findit’, një aplikacion kërkimi për smartphonë.

Çmime të tjera që u dhanë nga ICT Awards ishin Ylli në Ngritje i Vitit për Kelvin Çobanaj, ICT Akademiku i Vitit për Edmond Hajrizi dhe Çmimi ICT Diploma e Vitit iu dorëzua Mirgita Frashërit.

Ndërsa çmimi Shërbimi Publik më i mirë i vitit për Shqipërinë shkon për Ministrinë e Mirëqenies dhe Rinisë ndërsa për Kosovën shkon për Administratën Tatimore të Kosovës.

Nisma e ndërmarrë nga ICTS Media ka për qëllim shpërblimin dhe motivimin e të gjithë individëve që japin kontribut në fushën e teknologjisë në të gjitha trevat shqiptare.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)