Një kullë do të zëvendësojë një nga ndërtesat më të dallueshme në zemër të ‘Parkut Rinia’ në Tiranë, ‘Tajvanin’.
Qeveria ka hapur një konkurs mes 5 studiove arkitekturore që do të rikonceptojnë ndërtesën, një ndërhyrje që shihet si e nevojshme për nevojat e qytetit dhe ambiciet e tij gjithnjë e më të mëdha.
“Jemi këtu sërish duke bërë atë që dijmë të bëjmë më mirë: të ndërtojmë ëndrra. Sot jemi këtu për një zhvillim tjetër të asaj godine që ka nevojë të transformohet për të adresuar nevojat dhe ambiciet e një qyteti që sot nuk është më ai që ishte kur u krijua ‘Parku Rinia’ apo kur u ndërtua ‘Tajvani’, as në vitet 2000 kur mori një tjetër volum, por në një kohë kur nevojat dhe ambiciet janë më të mëdha. Është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, që për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër, ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth, po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar. Nuk mund të rri dot sot pa thënë se unë vazhdoj të besoj se rruga që kemi zgjedhur për të ftuar në Shqipëri dhe përfshirë në këtë fazë historike ëndrrash dhe ambiciesh të mëdha arkitektë ndërkombëtarë, është rruga më e mirë për të nesërmen”, tha kryeministri Rama.
Arsyeja e përzgjedhjes së arkitektëve të huaj, vijoi ai, është se Shqipëria vërtet mbetet një universitet i hapur për arkitektët e rinj, por mungon specializimi në ndërtimin e kullave.
“Ndërtimi i kullave është kaq kompleks, delikat dhe kaq shumë profesionistë të bërë bashkë saqë duhet ta pranojmë se ne nuk kemi akoma kapacitetin dhe dijet”, tha Rama.
Ndërtimi mbi gjurmën e ‘Tajvanit’ nuk do të prekë mjedisin përreth, vijoi kryeministri për t’iu adresuar disa kritikave lidhur me projektet e ndryshme arkitekturore.
“Duhet të ndikojë në rigjenerimin e vetë parkut pa prekur asgjë që natyra aty ka, por duke shtuar”, tha Rama.
Ndërtimi pa rregulla s’është aspak opsion, vijoi Rama duke theksuar se qasjet agresive janë thjesht xhelozi.
“Ajo që është kulmi në këtë qasje është që arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë art-ëashing bulldozer politics dhe për të zhvilluar gjëra që janë jashtë standardeve. E vërteta është ndryshe. Kemi pasur shumë diskutime për pengesat, por nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla apo bëjmë diçka që në vende të tjera do të ishte e papranueshme apo e palejueshme. Ka diçka shumë të qartë për mua në këtë qasje agresive: xhelozia. Është xhelozia e njerëzve mediokër dhe që kapen pas nacionalizmit, pasaportës, faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe jo pas profesionit, argumenteve dhe mundësisë për të qenë konkurrues”, tha kryeministri.
Pretendimet se ka pasur qytetarë që janë nxjerrë me forcë nga banesat, i mohoi, ashtu si edhe për pronarët që kanë dashur të zhvillojnë, por edhe për zaptuesit.
“Nuk ka ndodhur në Shqipëri, asnjëherë në asnjë rast dhe për asnjë arsye që të bëhet nxjerrja me forcë e askujt nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat. Asnjë pronari nuk i është penguar liria e tij nëse do apo jo të zhvillojë. Kemi dhe historinë me zaptues të pronave që janë pjesë e proceseve të legalizimeve dhe ligji është shumë i qartë: asnjëherë s’kemi mbajtur anën e tyre nëse nuk ka një kontratë qiraje për personin që është aty”, u shpreh kryeministri.
Në konkurs marrin pjesë 5 studio arkitekture: Barozzi Veiga nga Spanja, Bjarke Ingels Group dhe Cobe nga Danimarka, l’AUC dhe Julien De Smedt Architects nga Franca.
Lajm në përditësim...
-
Sa me shume beton or teeeejjjjj
Përgjigju










Komente
Komento