Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, para se të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ka folur për negociatat që ky subjekt politik po i zhvillon me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje qeverisëse.

Ndonëse tri takime kanë përfunduar pa marrëveshje, Haziri ka deklaruar se takimet do të vazhdojnë në çdo kohë dhe do të punohet 24/7 për të arritur një marrëveshje.

“Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë. Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, ka thënë Haziri.

Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar disa herë deri tani, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve të vendit.

Haziri nguli këmbë se dallimet mes palëve nuk janë të mëdha.

“Nuk ka çështje që në këtë fazë na dallojnë shumë. Sa i përket politikave sektoriale, agjendës, proceseve politike, nuk është biseduar shumë, nuk është biseduar në hollësi. Jemi në nivelin e diskutimit të parimeve bazë. Ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit. Më rëndësi është të ketë vullnet të mirë”, shtoi Haziri.

Një ditë më herët, deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin deklaruar se partia e tyre kërkon postin e presidentit.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Nis seanca konstituive e Kuvendit, pritet zgjedhja e kryeparlamentarit të ri