Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po kërkon shtyrje të konstituimit të Kuvendit përtej afatit që, sipas tij, përcakton Kushtetuta.
“Ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushata elektorale, edhe të kërkojë shtesë duke menduar që është edhe i vetmi mbi Kushtetutën edhe mbi vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Zemaj tha se sot skadon afati 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa paralajmëroi se çdo vonesë do ta fuste Kosovën në krizë kushtetuese.
“Brenda 30 ditëve duhet që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar, që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo interpretim tjetër na fut në krizë kushtetuese, ose çdo shtyrje nga 30-ditëshi që nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor. E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Nëse hyjmë në një fazë tjetër që nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses ose nuk ka edhe sanksion, shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, tha ai pwr mediat.
I pyetur nëse LDK-ja është pjesë e një skenari për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit, Zemaj tha se partia e tij nuk ka qenë e informuar për një gjë të tillë.
“Jo, ne nuk kemi qenë as të njoftuar, nuk kemi qenë as të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patët edhe vetë nga seanca kuvendore, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka edhe debat në seancën konstituive”, tha Zemaj.
Lajmi kryesor:
Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës! Kurti nuk propozon kandidat për kryeparlamentar: Duam kohë për bisedime për presidentin (VIDEO)








