Konsumi dhe investimet private po japin ndikimin kryesor në përmirësimin e ekonomisë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të publikuar prej saj mbi "Stabilitetin financiar dhe ecurinë e sistemit bankar në vend gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2014.

Në tremujorin e parë të vitit 2014, aktiviteti ekonomik në vend u zgjerua përkatësisht me 1.65% dhe 0.2% në terma vjetorë dhe tremujorë. Me përjashtim të sektorit të ndërtimit, të gjitha degët e ekonomisë kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike.

Rritja ekonomike ka reflektuar përmirësimin relativ të kërkesës së brendshme, të ndikuar kryesisht nga konsumi dhe investimet private. Sidoqoftë, përmirësimi i ekonomisë ka nevojë të bëhet i qëndrueshëm, në mënyrë që të japë efektin e tij në tregun e punës, ku norma e papunësisë rezultoi 17.7%.

Sipas BSH-së, zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë kanë dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike. Në qershor 2014, inflacioni vjetor zbriti në nivelin 1.5%, duke reflektuar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend, ruajtjen e normave të ulëta të inflacionit në vendet partnere, si dhe pritjet afatshkurtra në rënie për inflacionin. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të mbetet stimuluese.

Në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, treguesit fiskalë paraqesin një politikë fiskale konsoliduese, me rritje të të ardhurave dhe mosrealizim të shpenzimeve, në krahasim me planin vjetor. Për të ardhmen, pritshmëritë më të mëdha janë që kërkesa e brendshme, e ndikuar nga konsumi dhe investimet private, të forcojë ndikimin pozitiv për rritjen ekonomike. Parashikimet për një përmirësim të aktivitetit ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit për pjesën e mbetur të vitit, do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e kërkesës së huaj për eksportet vendase

ATSH