DURRËS- Një 53-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se ka futur në vendin tonë paketa cigaresh kontrabandë.

Në kuadër të operacionit “Akciza”, policia e Durrësit ushtroi kontrolle në një Exchange/Tabachino, ku u gjetën 16 steka cigaresh, të cilat dyshohet se janë futur në vendin tonë kontrabandë, pasi nuk ishin të pajisura me pullën fiskale të Shqipërisë, por me atë të Italisë dhe Greqisë.  

Në pranga ka rënë pronari i Exchange/Tabachino, 53-vjeçari A. M., si edhe është vënë nën hetim 30-vjeçari S. Ç.

Edhe në dyqanin e 30-vjeçarit është ushtruar kontroll dhe i janë gjetur sasi stekash me paketa cigaresh dhe paketa të hapura, të markave të ndryshme, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.