Automatikisht me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, është rritur edhe paga maksimale, që njeh shtetim për efekt kontributesh. Sipas ligjit, sasia e kontributeve të sigurimeve shoqërore llogaritet mbi pagën bruto në kufijtë e pagës minimale në shkallë vendi, ndërkohë që paga maksimale indeksohet, në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi.

Si pasojë, pasi paga minimale u rrit me Vendim të Këshillit të Ministrave me rreth 9.1%, nga 22 mijë në 24 mijë lekë, paga maksimale do të rritet me rreth 9.1%, duke shkuar në 105.850 lekë, nga 97.030 lekë që ishte më parë, një rritje kjo në masën 8.820 lekë.

Kjo gjithsesi duhet të miratohet në mbledhjen e radhës të qeverisë. Në rast miratimi, kontributet e majit për pagat e larta pritet të paguhen me pagën e re maksimale. Më pas, do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që do të njoftojë subjektet për ndryshimin përkatës.

Duke filluar nga muaji maj, paga minimale në shkallë vendi është bërë 24.000 lekë në muaj. Bazuar në nenin 10 te ligjit nr 7703, datë 11 maj 1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të sipërshënuar, kontributi i sigurimeve shoqërore llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto në kufijtë e pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi.

Sa sipër, paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data e hyrjes ne fuqi te vendimit e në vazhdim, do të jetë: a) jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 24.000 lekë dhe deri në 105.850 lekë, për personat e punësuar; b) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 24.000 lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në 105.850 lekë, për personat e vetëpunësuar; c) e barabartë me pagën minimale mujore prej 24.000 lekësh për punonjësit e papaguar të familjes, me të cilët i vetëpunësuar punon e bashkëjeton ligjërisht.
Paga minimale në shkallë vendi shërben edhe për llogaritjen dhe pagimin e piramidës së kontributeve shëndetësore.


dy.b/shqiptarja.com