Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar sot nisjen e një hetimi paraprak për kontrollin teknik të automjeteve, shërbim që ofrohet nga kompania “SGS Automotive Albania”.  Hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 1 qershori 2016 deri më 31 dhjetor 2017. Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se do ta hetojë kompaninë koncensionare, pasi mund të ketë cënuar konkurrencën në treg.

Në njoftim thuhet se Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr.497, datë 08.02.2018 “Për hapjen e hetimit paraprak në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve në Republikën e Shqipërisë, pasi sjellja e koncesionarit “SGS Automotive Albania” SHPK mund të përbëjë kufizim të konkurrencës bazuar në nenin 9, pika 2, germa ç) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar)”, njofton Autoriteti i Konkurrënces.

Ky institucion bën të ditur gjithashtu, se raporti i hetimit paraprak duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se 3 muaj nga dita e çeljes së këtij hetimi.

Kontrolli teknik i automjeteve është një shërbim që iu dha me koncension kompanisë “SGS Automotive Albania” në vitin 2009. Koncensioni parashikon një periudhë 10 vjecare. Kjo do të thotë se kontrata që shteti shqiptar ka me kompaninë përfundon vitin e ardhshëm.

s.k/Shqiptarja.com