TIRANE - Partia Demokratike ka hapur sot pasdite, në Pallatin e Kongreseve, Konventën për Barazinë Gjinore. Në diskutimet, ka spikatur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila për herë të parë ka treguar, duke u përlotur, historinë e saj familjare, lidhjen e ngushtë me dy fëmijët e saj, Megin dhe Genarin e sapolindur, në vitet kur i duhej t'i linte vetëm për t'i hyrë politikës.

Konventën e hapi deputetja Albana Vokshi, e cila bëri një ekspoze të arritjeve të grave gjatë 8 viteve të fundit të qeverisjes, duke përfshirë edhe problemet me të cilat përballen gratë sot. Në këtë Konventë ishte ftuar edhe këngëtarja me banim në SHBA, Bleona Qerreti, e cili bëri thirrje për të votuar ndryshimin. Në përfundim, Kryeministri Berisha, ua ka lënë në dorë grave, t'i japin fitoren PD-së, në 23 Qershor.

JOZEFINA TOPALLI: SOT DO T'JU TREGOJ HISTORINE TIME DHE TE FEMIJEVE TE MI, MEGIT DHE GENARIT


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë sot një rrëfim prekës familjar, para grave e vajzave demokrate të mbledhura në sallën e Pallatit të Kongreseve: "Shumëkush prej jush më njeh si nënkryetarja e PD-së, të tjera si kryetarja e Kuvendit, që në ekran mund të shfaqem edhe e ashpër", - tha ajo, - por në fakt, gjatë këtyre viteve, axhenda e parlamentit ka qenë sfidë dhe reformim e unë përballë kam pasur bllokim dhe bojkot. Por unë e kam konsideruar detyrën time, privilegj.

Megjithatë, para se të jem Kryetare e Kuvendit, jam Jozefina, nënë e dy fëmijëve. Megi dhe Genari janë dy fëmijët më të mirë dhe të jem nëna e tyre është për mua gjëja më e rëndësishme dhe arritja më e madhe në jetë.

Më kujtohet shpesh - nuk flas si politikane sot, flas si nënë - më kujtohen shpesh net pa të panumërta pa gjumë mbi kokën e tyre; kujtoj me mall kur i ushqeja dhe i merrja në prehër. Fati e donte që Megi të lindte ditën kur babi im u nda nga jeta. Ishim në internim. Ndërkohë që unë ëndërroja të bëhesha matematikane, sepse lexoja Mari Kyrinë, kurse politikane as e çoja ndër mend në atë burg që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Ishte kjo arsyeja, kur vite më pas, një mik i mençur më tha se "ti, Jozefinë ke qënë e destinuar për t’u marrë me këtë punë". Kur kisha Megin për dore dhe Genarin të sapolindur, jeta ime ndryshoi, sepse Presidenti Berisha më besoi dhe më kandidoi në qytetin tim të përjetshëm dhe unë nisa rrugëtimin tim në politikë, si gjyshi dhe xhaxhai im, që ishin burrat më të mençur që unë njoh.

Genari ishte disa muajsh pas rebelimit të 1997-ës, kur shteti vriste kolegët e mi. Por unë arrita të hyja në Kuvend me votat e shkodranëve. Sali Berisha më besoi detyrën më të rëndësishme, nënkryetare e Parlamentit dhe atëherë ishte koha kur synonin të largonin Berishën dhe asgjesonin PD-në. Në atë kohë të dhunshme, unë jetoja në Shkodër dhe për të ardhur në Tiranë a për të shkuar në rrethe më duheshin orë, në rrugët me mijëra gropa, për të ringritur PD-në. Por kisha një bashkëudhëtar të pandarë, Genarin e vogël, që nuk flinte pa ardhur unë. Këtu në kokë e kam të fiksuar kur më priste tek dera e më thoshte: “Të lutem mam, mos ik!”

Më kujtohet kur shkova me Azem Hajdarin për të pritur vëllezërit kosovarë dhe shteti qëllonte dhe i plagosi. Ishte një dhunë që bëhej më e egër. Në vitin 2000 më bllokuan në Peshkopi, më mbajtën me kallash në kokë. Kisha një grua vlonjate pranë, që nuk iu dridh qerpiku. Emri i saj është Dorotea. Por ky episod është pak, se një television privat lajmëroi se Topallit i ishte bërë atentat. Fëmijët qanin dhe Genari thërriste “mama, mama”. Ai deri vonë është rritur me ankthin se mamit të tij donin t’i bënin keq. Ky ishte motivi që ne lutftuam duke mos llogaritur as jetën", - përfundoi Topalli.

KRYEMINISTRI BERISHA: FITORJA ESHTE NE DOREN E GRAVE, ZONJAVE, VAJZAVE, ZONJUSHAVE

"Fitoja është në dorën tuaj, sepse fitorja këto vite ka pasur vetëm një emër: Grua, zonjë, vajzë, zonjushë", - tha Kryeministri Berisha në përfundim të Konventës. - "Çështja e lirisë dhe e të drejtave tuaja është para së gjithash, çështja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Askush nuk ka pasur histori më të vështirë dhe plot sakrifica, sa ju. Sakrifica juaj qëndron në genet e fisnikërisë njerëzore. Sëbashku, me këtë projekt, të thërmojmë, çdo ditë e më shumë, murin e patriarkisë. Të vendosim para cilitdo që kërkon të shkelmojë liritë dhe të drejtat tuaja, të bashkojmë zërin tonë me çdo nënë, me çdo vajzë, që harbutërisht dhe padrejtësisht dhunohet në familjen e saj.

Çështja juaj nuk është vetëm kaq, por është çështje e potencialit të jashtëzakonshëm kombëtar, në rrugën e zhvillimin europian. Ndaj ju ftoj të bashkoheni për shkollimin më të mirë të vajzave tona, që shkolla jonë të kapë cilësitë më të larta. Çështja e grave dhe vajzave është jo vetëm shkollimi. Sot jemi krenarë se ato dominojnë në 10% më shumë në të gjitha universitetet tona. Ndaj ju ftoj kudo që jeni, të shndërrojmë në katër vitet që vijnë, karrierën tuaj si përparësinë tonë më madhore", - theksoi Berisha.

ARJOLA PRENGA, VOLEJBOLLISTE NGA MIRDITA

Në Konventë e mori fjalën e volejbollistja nga Mirdita, Arjola Prenga, e cila tha: "Jam lojtare e volejbollit dhe kam luajtur me shumë skuadra në SHBA; mbështet dhe përkrah si profesioniste e sportit, programin e PD për sportin. Po kështu, mbështet përkrahjen per femrat, studentet dhe gjithë të rinjtë shqiptarë.

JUELA HAMATI, VOTUESE PER HERE TE PARE


Hamati tha se është një votuese për herë të parë në jetën e saj dhe nuk e ka njohur periudhën e diktaturës. Por, ëhstë në gjendje të shohë ndryshimet që ka bërë PD-në, sepse ajo do garantojë vijimin e rrugëtimit drejt një Shqipërie europiane. Ndërsa, Edi Rama di vetëm të bllokojë, tha ajo, pasi Edi Rama,sepse sot kanë rëndësi veprat e jo fjalët.

RAIMONDA BULKU : JA PSE U BASHKOVA ME SALI BERISHËN

Deputetja Raimonda Bulku, në fjalën e saj, kujtoi arsyet pse iu bashkua Sali Berishës, vite më parë. Ajo tha se gruaja ka qënë e kufizuar për të studiuar, punuar, jetuar, madje edhe zgjedhur shokun e ketës; shumë prej tyre kanë vuajtur nëpër burgje ndërsa sot, shumë gra janë kthyer në biznesmene, kanë mundësi të hapur për ëndrrën dhe suksesin. Ndaj, sot ne mbështesim PD-së, tha ajo, sepse ajo është parti vizionare.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)