Konvikti i Liceut Artistik
Bashkia fsheh vendimin

Konvikti i Liceut Artistik<br />Bashkia fsheh vendimin
TIRANE- Bashkia e Tiranës mohon të ketë ndonjë vendim të shkruar për transferimin e 61 konviktorëve të Liceut Artistik. Por ndërkohë, prindërit dhe nxënësit, thonë se është e turpshme të mohosh këtë fakt, ndërkohë që ka nisur puna për përshtatjen e katit të tretë të konviktit të Gjuhëve të Huaja për të pritur liceistët e vegjël.

Isa Doçi, drejtor i konvikteve në bashkinë e Tiranës, dhe që ka nën varësi të gjithë këto institucione për kryeqytetin, na thotë se nuk ka asnjë vendim apo shkresë zyrtare për largimin e 61 nxënësve nga konvikti i Liceut Artistik.

"Deri në këto momente që flasim, mua nuk më ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për një gjë të tillë. Edhe përderisa nuk më ka ardhur mua, nuk ka ende një vendim. Pasi unë duhet të njoftohem shumë kohë më përpara, në mënyrë që të vë në dijeni stafin përkatës dhe të marrim masa për transferimin e tyre", - na thotë Isa Doçi, drejtor i konvikteve në bashkisë e Tiranës.

Sa i përket faktit të denoncuar një ditë më parë në "Shqiptarja.com" nga vetë prindërit e fëmijëve se ai vetë ua kishte thënë këtë gjë gjatë një takimi që kishte bërë me ta, Doçi e mohon këtë fakt. "Unë nuk jam takuar me asnjë prindër, - na shpjegon më tej Doçi. - Jam takuar vetëm me një përfaqësi nxënësish, të cilët bazuar në ca thashetheme erdhën dhe më takuan. Unë i sqarova, duke u thënë se për transferimin e tyre nuk ka një shkresë zyrtare. Sa kohë nuk ka një shkresë ata do të qëndrojnë aty ku janë", - na sqaron më tej Doçi.

Por duket se kjo nuk është krejt e vërteta, pasi prindërit pretendojnë të kundërtën. Sipas tyre, ata jo vetëm janë takuar me drejtorin Doçi, por i gjithë stafi i konviktit të Liceut Artistik, është njoftuar, madje dy herë, që të bëhen gati për transrferimin te konvikti i Gjuhëve të Huaja. "Është e turpshme të mohosh një gjë të tillë. Ne jemi takuar me drejtorin Doçi.

Është e vërtetë që ai na ka thënë se ende nuk ka një vendim të shkruar për këtë, siç është e vërtetë se ai ka njoftuar dy herë stafin e konviktit, pra drejtorin dhe kujdestaret, që të bëhen gati për transferimin në ambientet e konviktit të Gjuhëve të Huaja. Madje kjo do të bëhet në fillim të janarit. Unë nuk e kuptoj se përse ata e fshehin një gjë të tillë, kur shumë shpejt do të mësohet e vërteta", - na ka shpjeguar njëri prej prindërve, i cili ka dy fëmijë në këtë konvikt.
TRANSFERIMI
Sipas prindërve të nxënësve aq i vërtetë është transferimi i 61 nxënësve të Liceut Artistik në ambientet e konviktit të Gjuhëve të Huaja, saqë tashmë kanë nisur edhe punimet për rehabilitimin e kësaj godine. "Tashmë ka nisur edhe puna për rikonstruksionin e katit të tretë të konviktit të Gjuhëve të Huaja, ku do të sistemohen këta nxënës.

Ky kat kishte shumë probleme dhe nuk përdorej aktualisht, dhe prej disa kohësh punonjësit e mirëmbajtjes së bashkisë i kanë hyrë punës për ta përshtatur për fëmijët tanë. Në katin e parë të këtij konvikti është kuzhina, në katin e dytë janë strehuar fëmijët e shkollës "Zyber Hallulli", ndërsa kati i tretë ishte lënë bosh për shkak të problemeve të shumta që kishte. Ndaj unë nuk e kuptoj se si bashkia mund ta fshehë një fakt të tillë, dhe këtu nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për njoftime që vetë bashkia u ka komunikuar drejtuesve të këtij konvikti", - na shpjegon më tej ai.

KONVIKTI DO KTHEHET NE ZYRA PER ADMINISTRATEN E BASHKISE
Vetëm pak ditë më parë, 61 nxënësit e këtij konvikti janë vënë në dijeni se duke filluar nga janari do të strehohen në ambientet e fjetores së Gjuhëve të Huaja, pai godina e tyre do të kthehet në zyra për administratën e bashkisë. Nxënësit janë shprehur kundër këtij vendimi, pasi sipas tyre, ata e kanë shumë të vështirë të lëvizin së bashku me veglat e tyre muzikore në krahë, që i marrin me vete sa herë shkojnë dhe dalin nga klasa. Sipas tyre problemi më i madh është për të vegjëlit, pasi kjo zonë është edhe me shumë trafik.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ BE transferon 1.5 miliardë euro në Kiev nga asetet e ngrira të Rusisë

Lufta në Ukrainë/ BE transferon 1.5 miliardë euro në Kiev nga asetet e ngrira të Rusisë